Lajme

Minatorët prapë pa paga, marrin vetëm gjysmën, iu jepet afat deri të martën

10/09/2024 20:29
nga:G B

Hallin se a do t’i marrin pagat ose edhe nëse i marrin të plota, çdo fillim muaji minatorët ka kohë që e kanë.

E këtë tetor, ani pse përmbyllën një muaj të suksesshëm prodhimi, pagat u kanë dalë vetëm përgjysmë.

Ndonëse për ta nuk përbën habi, zhgënjimi mbetet i përhershëm.

“Nuk e kanë prit mirë, janë ndjerë të zhgënjyer dhe nuk e kanë prit mirë sepse një numër i tyre kanë edhe kredi, gjysën e pagës e kanë kredi. Kanë obligime, kanë borxhe. Sot kanëa rdh pak e s’kanë hy në minierë. Kanë kërkuar sqarim prej sindikate”, ka thënë Gani Osmani, Minator.

Për shqetësimet e tyre, përfaqësues të minatorëve kanë trokitur në derën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, Faton Ahmeti.

E ky i fundit siç thonë ata, përgjegjësinë ia ka hedhur Ministrisë së Ekonomisë.

“Si faktor kryesor është ai i sekretarëve në Ministri sepse bëhet një plan veprimi ku kemi arrit marrëveshje me subvecnionimin e ndërmarrjes prej 4 milion euro. 50 përqindshi do duhej mbuluar nga ME mirëpo vet fakti që interpretimi ligjor ka jep  vendimin e vet që u.d-të nuk mund të jenë më shumë se 6 por duhet të jenë me vendim të përhershëm si sekretar. Edhe në ME paska qenë i njëjti problem”, ka thënë Ibrahim Jonuzi, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve.

Interesimit të Dukagjinit lidhur me këtë çështje, siç ndodh rëndom, nuk i është përgjigjur Ministria e Ekonomisë.

Njësoj ka vepruar edhe vet Faton Ahmeti.

E marta e javës së ardhshme është data e fundit  kur u është premtuar se do të bëhet ekzekutimi i plotë i pagave.

Në gusht të këtij viti, qeveria ndau 4 milionë euro në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale por që ky buxhet nënkuptonte zgjidhje vetëm disa mujore për pagat e minatorëve të Trepçës./Dukagjini/