Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për përfaqësimin e Kosovës me fusnotë në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës në Bruksel.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti po e përfaqëson vendin me një standard të ri. Për fusnotën ajo thotë se këtë vendim të përfaqësimit ai e gjeti edhe pse e kishte kritikuar.
Tutje ajo tha se nuk mund të mbahet përgjegjës kryeministri Kurti për një vendim të tillë, por duhet të punohet e korrigjohet sa i përket evitimit të fusnotës.
“Kryeministri Kurti po e përfaqëson Kosovën në një standard të ri të cilin nuk e kemi pasur më herët në Kosovë me propozime konkrete, por edhe me përfaqësim të nivelit të barabartë me BE”.
“Ajo çka aktualisht e shohim përfaqësimin ende të Kosovës me fusnotë është diçka që kryeministri Kurti e gjeti përkundrejt faktit që kishte kritikuar, por ishte miratuar fusnota që thuhej se do të largohej shumë shpejt”.
“Tashmë ato marrëveshje në të cilat ka pasur dëme të kësaj natyre mbetet të punohet që këto të evitohen, por natyrisht që Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse. Nuk mund që tash të mbahet përgjegjës kryeministri Kurti për një vendim që ai nuk e ka marrë, por të cilin pritet ta korrigjojë dhe të punojë”.
“Puna shihet që është shumë e vështirë sepse edhe përfaqësues të BE-së janë mësuar me një qasje tjetër të përfaqësuesve të Kosovës dhe kjo po vërehet që është ngarkesë shtesë me të gjitha proceset që janë në vijimësi ku Kosova është palë”.
Ky është takimi i katërt që mbahet mes Kosovës dhe BE-së sa i përket progresit të MSA-së.
Përpos kryeministrit Kurti në Bruksel kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala. /EO