Sporti

Milner zbulon debatin e ashpër me Klopp: A do ta “qepësh” gojën?!

12/12/2023 09:57
nga:Mergim Rreci

Pas tetë vitesh si pjesë e Liverpool, James Milner mbylli këtë verë aventurën me “The Reds” për të kaluar në radhët e Brighton.

Gjatë këtyre viteve, mesfushori u shndërrua në një lider të skuadrës duke marrë edhe shiritin e kapitenit ndërsa fitoi trofe me shumë rëndësi si Champions League, Premier League apo edhe FA Cup. Megjithatë, nuk kanë munguar as momentet e tensionit dhe së fundmi është vetë 37-vjeçari i cili zbulon një debat të ashpër me trajnerin Jurgen Klopp.

“Klopp ishte shumë i hapur për të dëgjuar ide nga futbollistët, megjithatë këtë nuk e pranonte në momentet e pushimit të ndeshjes. Ai thjesht nuk ishte momenti i duhur për t’i propozuar atij ide. E mbaj mend njëherë kur unë edhe Klopp po diskutonim gjatë pushimit të një ndeshje.

Unë po flisja për idetë e mia dhe ai për të vetat. Tonat ishin të larta dhe në një moment, Klopp përplas dorën në tavolinë dhe më tha ta qep gojën. Klopp ishte brilant përtej së gjithash. Kisha një raport të shkëlqyer, ishte njeri i madh brenda dhe jashtë fushës”, u shpreh Milner.