Lajme

Milionat e ndara nga Qeveria s’e zgjidhën problemin e qenve endacakë

10/16/2021 12:02
nga:M K

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë miliona euro për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë që të angazhohen për trajtimin dhe strehimin e qenve endacakë.

Por që këta të fundit ende po fajësojnë nivelin lokal sepse sipas tyre kjo është kompetencë e komunave. Ndërsa nga organizata që merren me të drejtat e kafshëve thonë se projektet e parapara për trajtimin e qenve endacakë asnjëherë nuk u realizuan.

E qytetarët janë më të rrezikuarit nga numri i madh i qenve endacakë. Ata thonë se në vazhdimësi janë të rrezikuar nga qentë të cilët dita-ditës po bëhen më të rrezikshëm. Ata bëjnë përgjegjës Komunën e Prishtinës dhe AUV-in për mostrajtim të duhur ndaj kësaj problematike.

“Është shumë problematikë numër një, se për fëmijët nuk ka siguri në shkollë, s’ka siguri në shitore ose thjeshtë në rrugë, as para derës. Hiq më larg se dje janë futur në oborr timin. Komuna normal duhet me u marrë, ose AUV-i. Nuk mundemi ne si qytetarë me u marr me qentë në rrugë, ne i mbrojmë në shtëpi, por në rrugë qeni s‘vet”, ka thënë një qytetare.

“Ata duhet të jenë vetëm nëpër shtëpia të gjithë, se po i marrin si këlysh po i rritin pastaj si kanë kushtet me i mbajt ose diçka e i hedhin, ashtu është keq. Po tash ne qytetarët nuk e kemi kompetencë, e ka kompetencë komuna, tjetër nuk di, duhet m’i marrë m’i mbajt brenda secili, kish qenë vepër e mirë me i marrë me i mbajt secili prej neve”, ka thënë një qytetar tjetër.