Derisa qytetarët përballen me kosto të lartë të jetesës dhe institucionet publike vazhdojnë të ankohen për mungesë buxheti në shumë sektorë, shteti po përgatitet të furnizohet me 104 vetura të reja, përmes një tenderi të Agjencisë Qendrore të Prokurimit me vlerë mbi 2.4 milionë euro.

Dokumentet e siguruara nga Front Online tregojnë se më 13 gusht 2026 janë rekomanduar për kontratë katër kompani, të cilat do t’i ndajnë mes tyre pesë lote të tenderit për furnizimin me automjete për institucionet e Republikës së Kosovës. Në total, ofertat fituese arrijnë në 2,412,414 euro. Sipas planifikimit, institucionet publike pritet të furnizohen me: 7 vetura të Modelit 1, 61 vetura të Modelit 2, 21 vetura të Modelit 3, 10 vetura të Modelit 4 si dhe 5 vetura të Modelit 5. Pra, bëhet fjalë për 104 automjete të reja për administratën dhe institucionet shtetërore.
Lista është e gjatë: ministri, agjenci, inspektorate, komuna, SHSKUK, Këshilli Prokurorial dhe institucione të tjera publike do të mund të lëshojnë urdhërblerje në kuadër të kësaj kontrate. Vetëm Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë figuron me 17 vetura të Modelit 2, ndërsa SHSKUK me 15 vetura të të njëjtit model. MPB-ARC-MDAP parashihet të marrë gjithsej 21 automjete të kategorive të ndryshme.

Katër kompani ndajnë mbi 2.4 milionë euro
Për Lotin 1 është rekomanduar për kontratë “Auto Kaçandolli”, me ofertë prej 124,530 eurosh. Pjesa më e madhe e tenderit i shkon Mercom Company, e cila është rekomanduar për Lotin 2 në vlerë prej 1,266,665 eurosh. Ndërkohë, “Auto Mita” ka marrë dy lote: Lotin 3 prej 542,829 eurosh dhe Lotin 4 prej 278,490 eurosh, apo gjithsej 821,319 euro. Për Lotin 5 është rekomanduar Porsche Kosova, me ofertë prej 199,900 eurosh.
Në dy lote vetëm nga një ofertë
Por tenderi milionësh ka edhe një tjetër detaj që bie në sy. Vetë AQP ka bërë të ditur se për Lotin 3 dhe Lotin 5 kishte vetëm nga një ofertë. Kjo nënkupton se për këto dy pjesë të tenderit fituesit nuk kanë pasur asnjë konkurrent tjetër në garë. Në Lotin 3, kontrata prej 542,829 eurosh i është rekomanduar “Auto Mita”-s, ndërsa në Lotin 5, kontrata prej 199,900 eurosh Porsche Kosova-s. Megjithëse një ofertë e vetme nuk përbën vetvetiu shkelje ligjore, mungesa e konkurrencës në dy pjesë të një tenderi kaq të madh ngre pikëpyetje mbi kushtet e garës dhe interesimin e operatorëve të tjerë ekonomikë.
104 vetura mund të mos jenë fundi
Edhe numri prej 104 veturash nuk është domosdoshmërisht përfundimtar. Në dokumentacion thuhet se AQP ruan të drejtën që gjatë zbatimit të kontratës të përfshijë edhe institucione të tjera, ndërsa sasia mund të devijojë deri në ±30 për qind. Kjo nënkupton se, teorikisht, numri i automjeteve mund të rritet edhe më tej, varësisht nga urdhërblerjet që do të bëhen gjatë kohëzgjatjes së kontratës. Pra, përderisa tenderi nis me 104 vetura dhe mbi 2.4 milionë euro, fatura finale e shtetit mund të bëhet edhe më e madhe nëse shfrytëzohet mundësia e paraparë për rritjen e sasive.


