Euro2024

Milani rikthen interesimin për Alvaro Moratan

07/04/2024 16:41
nga:Mergim Rreci

Milani mbetet në kërkim të një numri 9 që të ofrojë gola në majën e sulmit, teksa emri i preferuar është ai i Joshua Zirkzee, por mbërritja te holandezi i Bolognës duket shumë i vështirë si për koston e kartonit, ashtu edhe për shkak të rivalitetit.

Edhe rikthimi i Lukakut në Milano, këtë herë me fanellën kuqezi, nuk është një opsion që entuziazmon kampin milanist, që së fundi po studion një tjetër alternativë për sulmin.

Fjala është për spanjollin Alvaro Morata, që e njeh mirë Serinë A, pasi ka veshur fanellën e Juventusit në dy periudha të ndryshme, duke bërë mjaft mirë. Kostoja e kartonit të Moratës është 13 milionë euro, e parashikuar në kontratën që sulmuesi ka me Atleticon e Madridit.

Natyrisht shifra nuk është shqetësuese për Milanin, por mbetet shumë e rëndësishme dëshira e vetë futbollistit, që duhet të japë miratimin, në mënyrë që kuqezinjtë të procedojnë me pagesën dhe kompletimin e transferimit.

Vetë Morata nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u rikthyer në Itali, duke qenë se bashkëshortja e tij është italiane dhe vetë sulmuesi spanjoll ka kaluar kohë mjaft të bukura atje.