Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me fitoren 3-1 ndaj Bayern Munich në ndeshjen më interesante të raundit të pestë të fazës kryesore të Ligës së Kampionëve.
Për bavarezët, kjo ishte humbja e tyre e parë e sezonit, dhe pas ndeshjes, Arteta tha se skuadra e tij kishte mposhtur ekipin më të mirë në Evropë.
“Jam jashtëzakonisht krenar për ekipin – mënyrën se si luajtëm dhe sjelljen e performancën e çdo lojtari”, tha Arteta pas ndeshjes.
“Sot luajtëm kundër një skuadre që mendoj se ka qenë më e mira në Evropë në muajt e fundit”, vazhdoi trajneri i “Topçinjve”.
“E dinim sa e vështirë do të ishte: sa mirë janë të stërvitur dhe çfarë zgjidhjesh gjejnë për gjithçka që provon kundër tyre. Por mendoj se në shumë momente ishim shumë dominues dhe e kontrolluam lojën. Në fund e merituam fitoren”, shtoi ai.
/GazetaBlic Sport


