Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve ka bërë një skandal të përmasave botërore kur ka vendosur që t’ia tërheqë licencën e biznesit Klan Kosovës.
“Nuk ia ka pasë borxh demokracia, disa vlera që i kemi konsideruar si të mirëqena. Një çështje puro teknike, as administrative, është kthyer në megaskandal ndërkombëtar”, është shprehur Miftaraj në Rubikon.
Ai ka vazhduar të thotë se ARBK nuk është institucion që ruan rendin publik dhe nuk është dashur të vendosë mbi këtë thirrje.
Duke u bazuar në këtë, por edhe paligjshmërinë e vendimit, Miftaraj thekson se gjykata do ta kishte të vështirë të vendoste për mbylljen e televizionit, edhe nëse komisioni për ankesa do ta merrte një vendim të tillë.
“Gjykata vendos mbi fakte dhe dëshmi. Ajo e merr përbazë interesin publik. Dyshoj që ka gjyqtar që mund të merrte vendim për mbyllje”.


