Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka folur për draft statutin e Asociacionit dhe mos publikimin e tij nga ana e Qeverisë.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti kur ishte në opozitë kërkonte transparencë në dialog dhe debat në Kuvend për të caktuar parametrat e negocimit të marrëveshjes.
“Kryeministri Kurti në opozitë kërkonte transparencë në dialog si dhe debat në Kuvendin e Kosovës përfshirë kërkesën që Kuvendi i Kosovës të caktojë parametrat e negocimit të marrëveshjes”, shprehet ai.
Sipas Miftarajt, Kurti tani po anashkalon parimet dhe standardet e tij të opozitës, duke vepruar sikur qeveritë e kaluara.
“Fatkeqësisht, Kryeministri Kurti po anashkalon parimet dhe standardet e veta gjatë kohës së tij në opozitë dhe po vepron njëjtë sikurse qeveritë e kaluara”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Ai shton se terri informativ s’do të duhej të vlente për Kuvendin lidhur me dialogun, edhe pse në dialog duhet të ketë konfidencialitet.
“Përderisa, është e kuptueshme se në dialog dhe negociata duhet të ketë një lloj konfidencialiteti në raport me publikun e gjerë, e njëjta nuk do të duhej të vlente edhe për Kuvendin dhe përfaqësuesit e popullit të cilët po ashtu janë në terr informativ lidhur me negociatat në Bruksel përfshirë modalitetin e Asociacionit”, deklaron Ehat Miftaraj nga IKD./Gazeta Blic/


