Lajme

Mickoski: Jam i përgatitur për kompromis, por të mos marrim në thua në pengesa të reja drejt BE-së

10/27/2024 13:46
nga:G B

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, pret përgjigje nga Brukseli se si do të vijojnë negociatat me Bashkimin Evropian (BE) nëse miratohen ndryshimet kushtetuese dhe nëse do të vlejnë me zbatim të prolonguar.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai thotë se nuk ka ndikim rus në vend, por se euroskepticizmin e nxit një pjesë e politikanëve bullgarë. Ai nuk pret ndryshim në politikën amerikane për Ballkanin edhe pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, e as nuk favorizon ndonjërin nga dy kandidatët pavarësisht takimeve me Richard Grenellin.

Radio Evropa e Lirë: Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka porositur qartë se i vetmi hap deri në fillimin e negociatave janë ndryshimet kushtetuese, për të cilat shteti tashmë ka rënë dakord. A morët një “jo” për ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar?

Hristijan Mickoski: Mendoj se duhet t’i japim kohë, kohës. Së pari, të shterim këtë hap e pastaj të flasim për hapat e ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Për cilin hap mendoni, ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar?

Hristijan Mickoski: Epo, po, diçka e ngjashme.

Radio Evropa e Lirë: Këtë e lidhni edhe me zgjedhjet e së dielës në Bullgari?

Hristijan Mickoski: Kjo është një çështje e brendshme e Bullgarisë. Mendoj se asgjë nuk është e përjetshme dhe se nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë. Jam i bindur se diktati nuk është zgjidhje, se ultimatumi nuk është zgjidhje, se është e nevojshme të bisedohet, deri në momentin kur të arrihet një zgjidhje që, siç shpesh thonë bashkëbiseduesit, të jetë win-win, ku fitojnë edhe të dyja palët, unë kam mendim të kundërt që të jetë lose -lose, që të dyja palët të humbin diçka. Nuk është mirë nëse njëra palë humb gjithçka, ndërsa tjetra fiton. Ky nuk është kompromis. Fundja, i tillë ishte edhe i ashtuquajturi propozimi francez. Ne kërkojmë që Bashkimi Evropian t’i respektojë parimet e veta dhe vlerat e veta. Kaq.

Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përgjigje nga Komisioni Evropian. Por, do të nevojitet edhe mbështetja nga Bullgaria.

Hristijan Mickoski: Unë jam i gatshëm të bisedoj me këdo, jam i gatshëm të ulem, shprehimisht, me këdo që ka qëllim të mirë që të gjejmë zgjidhje për këtë problem, sepse qëllimi ynë është të jemi pjesë e familjes evropiane. Edhe pse jam i bindur se këtë kemi merituar shumë më herët, madje edhe para disa vendeve të tjera anëtare të BE-së. Fatkeqësisht, për shkak të padrejtësisë që iu shkaktua qytetarëve maqedonas dhe neve si shtet, ne sot ende nuk mund t’i fillojmë as negociatat. Kjo nuk është një garë në të cilën ju duhet vetëm të merrni pjesë. Tani jemi në një situatë që kur do të fillojmë garën duhet të dimë qartë se do ta përfundojmë atë garë. E jo që në ndonjërën nga pengesat e radhës të marrim në thua dhe përsëri do të duhen poshtërimi e kështu me radhë. Unë nuk jam një bashkëbisedues i tillë. Unë jam një bashkëbisedues që është i gatshëm për kompromis, por vetëm nëse ky kompromis nënkupton rezultat, përkatësisht një përfundim, në rastin tonë fundi do të nënkuptojë anëtarësimin e plotë në kuadrin e Bashkimit Evropian.

Lexoni intervistën e plotë KËTU.