Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për familjet e cenueshme, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se është hapur thirrja për organizatat joqeveritare që të aplikojnë për mbështetje financiare, e cila do të përdoret për ofrimin e pakove ushqimore tek familjet në nevojë.
MFPT përmes një njoftimi ka bërë të ditur se të drejtë aplikimi kanë organizatat që veprojnë në komunitete dhe që ofrojnë shërbime ndaj kategorive të cenueshme të shoqërisë.
“Për të aplikuar duhet të bashkëngjesin dokumentet si në vijim: Certifikatën e regjistrimit të organizatës në Republikën e Kosovës, dëshminë mbi veprimtarinë e organizatës në mbështetje të kategorive të cenueshme, planin e aktiviteteve që përfshin kapacitetet shërbyese, numrin potencial të familjeve përfituese, koston totale të pakove ushqimore duke pasur parasysh se mbështetja është deri në 50 euro për pako, listën e produkteve që përmban një pako ushqimore dhe çmimet përkatëse, duke pasur parasysh se së paku 70% e produkteve duhet të jenë vendore”, thuhet në njoftim.
Aplikimet mund të dërgohen në adresën zyrtare deri më datën 7 nëntor 2025.


