Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot nënshkroi marrëveshje për një grant prej 3 milionë euro me drejtorin e Zyrës së BERZH-it në Shkup, Mateo Kolanjeli që ka për qëllim përshpejtimin e procesit të grumbullimit të mbetjeve në vend.
Mexhiti tha se me këtë grant, pritet që procesi i grumbullimit të mbeturinave të lehtësohet dhe të kontribuojë në zhvillimin drejt fazës së ardhshme, pra riciklimit të mbeturinave.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes nënkupton ndihmë për mbështetjen institucionale dhe menaxhimin e korporatave, për të përshpejtuar dhe lehtësuar procesin e grumbullimit të mbetjeve në vend dhe për të kaluar në fazën tjetër të riciklimit dhe zgjidhjes së këtij problemi të kahershëm të qytetarëve tanë në vendin”, tha Mexhiti.
Drejtori i BERZH-it, Mateo Kolanjeli, theksoi se mjedisi në Ballkanin Perëndimor është fokusi kryesor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke theksuar se ky është investimi i parë i këtij lloji.
“Ky është investimi i parë i këtij lloji, ku 45 komuna nga qarqe të ndryshme të vendit mbulohen me mbështetje në menaxhimin e mbetjeve të ngurta, ndërsa do të përfitojnë drejtpërdrejt mbi një milion njerëz. Ne jemi vërtet krenarë për atë që po bëjmë së bashku me partnerët tanë dhe jemi të përqendruar në zbatimin efikas dhe të shpejtë të këtij investimi”, tha Kolanjeli.
Ai shtoi se fokusi i BERZH-it është mjedisi në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë vendin tonë, kështu që do të merren shumë në të ardhmen me këtë temë, për të forcuar kapacitetet e Maqedonisë së Veriut në kuadër të strategjisë që po përgatitet për 5 vitet e ardhshme.
Ambasadorja e Zvicrës në vend, Veronik Ulman, theksoi se me këtë grant qytetarët do të mund të shohin drejtpërdrejt përfitimet, duke theksuar se hapat që do të ndërmerren do të jenë plotësisht të sigurta dhe në përputhje me rregulloret dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Zvicra vërtet kontribuon në zhvillimin e mjedisit, do të mbulohen rajone, ku qytetarët do të mund të shohin përfitimet dhe se ne vërtet po bëjmë diçka për këtë. Kur udhëtoj nëpër vendin tuaj të bukur, njerëzit shumë shpesh thonë se duhet të bëjmë diçka për këtë, dhe tani është koha. Kjo është arsyeja pse Zvicra ka vendosur të ndihmojë dhe kontribuojë në zhvillimin e mjedisit në këto rajone”, ka thënë Ulman.