Sporti

Messi mes emocionesh: Arrita ta fitoj Kupën e Botës, fitova gjithçka me ekipin e zemrës, Barcelonën

10/17/2024 20:00
nga:E K

Lionel Messi e ka fituar një tjetër çmim special.

Ylli argjentinas e mori çmimin si më i trofeshmi në histori të futbollit nga Marca.

Ai e mori një statujë të artë me festimin e tij ikonik.

Lidhur me këtë, Messi u shpreh se është ende i etur për të fituar tituj tjerë.

“Më kujtohet titulli i parë që kam fituar. E kujtoj me shumë dashuri. Jam ende i etur për tituj, edhe pse tani jam pak më i madh dhe familja ime vazhdon të rritet. Ndjej mbështetjen e tyre, ndaj jam i pandalshëm. E dua të luaj futboll dhe gjithçka që më jep ai. Kam kaluar kohëra shumë të vështira me Argjentinën përpara se të arrinim ato që kemi arritur deri sot, por mendoj se na ka ndihmuar shumë për t’u bërë ata që jemi sot. Të vija te Inter Miami nuk do të thotë që do të tërhiqem së shpejti, ende kam vite për të luajtur”, tha Messi.

Mes emocionesh, tetë herë fituesi i Topit të Artë tha se arriti ta fitojë Kupën e Botës dhe të fitojë gjithçka me ekipin e tij të zemrës, Barcelonën.

“Kam arritur të përmbush të gjitha qëllimet dhe ëndrrat e mia. Arrita gjënë më të mirë, që është Kupa e Botës. Të fitoja gjithçka me ekipin e zemrës sime, FC Barcelona, ishte gjithashtu një ëndërr që kur isha fëmijë”, tha Messi.