Sporti

Messi i trondit aktivistët me kërkesën e kompensimit

08/19/2024 14:49
nga:E K

Lionel Messi ka kërkuar dhjetëra mijëra euro dëmshpërblim pasi vila e tij në Ibiza u vu në shënjestër të aktivistëve të klimës, të cilët hodhën ngjyrë në fasadën e saj.

Grupi “Futuro Vegetal” njoftoi se në fillim të muajit shënjestroi një vilë në Ibiza që i përket Lionel Messit, duke dashur ta dënojë mosveprimin e më të pasurve në luftën kundër ngrohjes globale.

Për shkak të kësaj, ata vandalizuan vilën e Messit duke e lyer me bojë kuq e zi, shkruajnë mediat e huaja.

“Ata na mësojnë se të fuqishmit janë të paprekshëm. E vërteta është se politikat janë krijuar për t’u shërbyer atyre që kanë më shumë, duke i sulmuar drejtpërdrejt të drejtat e pjesës tjetër të popullsisë. Por, ata e përfaqësojnë vetëm 1 për qind të popullsisë”, thanë aktivistët përmes përshkrimit të videos, të publikuar në rrjetet sociale.

Pas gjithë asaj që ndodhi, ka reaguar edhe Messi, i cili ka ngritur padi dhe tani e kërkon një dëmshpërblim të madh prej 50 mijë eurosh, si për vandalizmin, ashtu edhe për pushtimin e shtëpisë së tij private.

Kjo shumë i ka tronditur aktivistët të cilët janë habitur nga kjo kërkesë.

“Është një ngjyrë me bazë uji, kështu që apriori mund të lahet me furçë dhe në rastin më të mirë do të duhet ta fërkoni pak. Por, në rastin më të keq, edhe nëse duhet ta rilyeni fasadën, nuk do të kushtonte 50 mijë euro”, u përgjigj zëdhënësi i grupit, Bilbo Bassaterra, i cili e kundërshtoi kërkesën e yllit të Inter Miamit, duke pretenduar se vila është ndërtuar pa leje.