Analisti politik Imer Mushkolaj ka reaguar lidhur me mesazhet e zbuluara nga dosja e Prokurorisë, të cilat tregojnë koordinimin e Faruk Mujkës me Dejona Mihailin dhe Artane Rizvanollin për punësim ilegal në ndërmarrje publike.
Në Debat Plus, Mushkolaj ka deklaruar se veprimet e ministres Artane Rizvanolli përbëjnë vepër penale dhe se kjo çështje duhet të trajtohet seriozisht nga organet e drejtësisë.
“Zonja Rizvanolli ka kryer vepër penale dhe kjo është shumë shqetësuese, edhe duhet me u marrë seriozisht organet me këtë çështje”, ka deklaruar ai.
Mushkolaj ka theksuar se, si titullare e një ministrie që ka përgjegjësi direkte mbi ndërmarrjet publike, Rizvanolli duhet të jetë absolutisht e drejtë dhe e paanshme në proceset e vendimmarrjes për pozita menaxheriale.
Sipas tij, mënyra e komunikimit për t’i ofruar një personi partiak pozitën e kryeshefit ekzekutiv në një ndërmarrje publike është e papranueshme.
“Një komunikim i tillë për me ia ofru një anëtari të partisë pozitën e kryeshefit ekzekutiv është i papranueshëm”, ka shtuar Mushkolaj.
Ndërkaq, lidhur me Dejona Mihailin, analisti ka vlerësuar se bëhet fjalë për ndikim politik dhe partiak brenda partisë, i cili sipas tij nuk duhet të legjitimohet.
Deklaratat e Mushkolajt vijnë pas publikimit të komunikimeve në WhatsApp, të siguruara ekskluzivisht nga VOX Kosova nga dosja e Prokurorisë, ku përfshihen mesazhe mes Faruk Mujkës, Artane Rizvanollit, Albulena Haxhiut, Dejona Mihailit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë institucionalë.


