Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë, ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, raporton Gazeta Blic.
Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise dhe zgjidhja afatgjate është politike.
“NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të garantuar një të ardhme stabile për të gjitha komunitetet”, tha ai.
Po ashtu, Rutte theksoi se të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të fokusohen në zgjidhje afatgjata.
“E kuptoj që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet të shohim pamjen më të gjerë. Normalizimi sjell më shumë stabilitet, investime dhe siguri afatgjatë për gjithë rajonin”, është shprehur shefi i NATO-s.
Lidhur me deklaratat e tij, ish diplomati dhe ish kryeneciatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se janë qëndrime të zakonshme sa herë flasin për Kosovën.
Sipas tij, FSK për NATO-n nuk është forcë ushtarake, ndërsa kompromiset e përmendura janë ato që sjellin marrëveshjet e Brukselit.
“Sa i përket qëndrimeve të Ruttes, janë qëndrime të zakonshme për shefin e NATO-s dhe janë një retorikë e zakonshme sa herë që flasin për Kosovën. FSK-në NATO nuk e njeh si forcë ushtarake sepse janë katër shtete të NATO-s që nuk e njohin Kosovën si shtet. Për kompromise është menduar gjithmonë për kompromiset që sjellin marrëveshjet e Brukselit”, shprehet Arifi.
Ndërsa, ish diplomatja Alma Lama, në një prononcim për Gazeta Blic, vlerëson se deklarata lidhet me implementimin e marrëveshjes së fundit të dakorduar nga ana e Kosovës dhe e Serbisë në Bruksel më 2023 dhe me aneksin e Ohrit.
E para, mendoj se është një deklaratë që lidhet me implementimin e marrëveshjes së fundit të dakorduar nga ana e Kosovës dhe e Serbisë në Bruksel më 2023 dhe me aneksin e Ohrit. Në këto marrëveshje kërkohet që Kosova të themelojë Asociacionin ndërsa Serbia të bëjë njohjen de facto. Por, siç e dimë, këto marrëveshje nuk janë zgjidhja përfundimtare, një tjetër marrëveshje politike përfundimtare kërkohet mes Kosovës dhe Serbisë që do të përfundonte me njohje të dyanshme. Kjo mund të jetë pjesë e një procesi të ri politik, ku kërkohen kompromise shtesë”, potencon ajo.
Sipas Lamës, Kosova duhet të lexojë mirë se ࡗfarë kërkojnë partnerët dhe të mos japë autonomi për serbët në veri, pasi sjell ndarje përfundimtare.
“Ndërsa, Kosova duhet të lexojë mirë çfarë kërkojnë partnerët dhe të mos japë autonomi për serbët në veri, pasi një gjë e tillë është prelud për ndarje përfundimtare. Tani për tani në kaosin e madh gjeopolitik nuk ka ndonjë lëvizje, por Serbia mund të jetë duke lobuar fuqishëm kundër Kosovës tek administrate e re amerikane”, ka deklaruar Alma Lama./Gazeta Blic/
Rutte: Kosova e Serbia duhet të bëjnë kompromise, pa zgjidhje politike s’ka paqe


