Rrezarta Krasniqi, kandidate për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas publikimit në media të disa komunikimeve të zyrtarëve të Vetëvendosjes, ku në njërin prej tyre ministrja në detyrë e Ekonomisë, fyen Skënder Hysenin, njërin prej themeluesve të LDK-së.
Ajo tha se në kulmin e një skandali të madh, ku sipas saj është e përfshirë drejtpërdrejt edhe ministrja Artane Rizvanolli, sulmet verbale po drejtohen ndaj Skender Hysenit, bashkëthemelues i LDK-së, bashkëpunëtor i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe figurë kyçe e shtetndërtimit të Kosovës.
“Pa turp e pa asnjë argument, për të mbuluar veprimet jashtëligjore, kjo qeveri shpif, përqesh dhe njollos figura historike”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas saj, kjo qasje dëshmon fytyrën e vërtetë të pushtetit aktual, duke shtuar se bëhet fjalë për një qeveri që, siç u shpreh ajo, “po e mbyll karrierën politike para drejtësisë”.
Në fund, Krasniqi tha se kjo qeveri do të mbahet mend si “qeveria e skandaleve dhe e pazareve të WhatsApp-it”.


