Lajme

Mesazhet e Escobar e Lajçak për Kurtin / Paralajmërohet tërheqja e Njësisë Speciale në veri

06/05/2023 12:01
nga:G C

Analisti politik, Gazmir Raci ka folur rreth takimit mes të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak me kryeministrin, Albin Kurti dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Raci në një prononcim për GazetaBlic tha se, ky takim duhet të shfrytëzohet në maksimum për t’i sqaruar propozimet e BE-së në mënyrë që të qetësohet situata në veri të Kosovës.

Raci shton se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të marrin masa për Serbinë që nuk po e zbaton marrëveshjen e Ohrit.

“Ky takim duhet të shfrytezohet në maksimum për të i sqaruar propozimet e BE-së për dalje nga kjo situatë si dhe për pikat 9 të OSBE. Komuniteti ndërkombëtarë poashtu duhet me qenë i vendosur në raport me Serbinë për zbatimin e planit franko-gjerman ashtu siç janë pajtuar palët edhe në Ohër”, tha Raci.

Raci shtoi se nëse shkohet në zgjedhjet e parakohshme në veri të vendit, sipas tij duhet të ketë mundësi që të gjitha partitë apo iniciativat qytetare serbe të marrin pjesë.

Raci thotë se duhet të ketë pluralizëm politik, teksa shton se Lista Serbe dirigjohet nga Radojqiqi që është në listën e zezë amerikane.

“Është esenciale që kjo marrëveshje të zbatohet pikë për pikë pasi është e shkruar dhe nuk duhet lejuar që të hapen tema të tjera. Po ashtu, me ndërmjetësuesit duhet të diskutohet edhe për dekriminalizimin e pjesës veriore, që nëse në ato komuna mbahen zgjedhje të parakohshme, atëherë të ketë mundësi që të gjitha partitë apo iniciativat qytetare serbe të marrin pjesë në ato zgjedhje. Pluralizëm politik për të gjithë dhe jo centralizim i jetës politike rreth Listës Serbe, e cila udhëhiqet nga Radojqiq, i cili është në listën e zezë amerikane”, tha Raci.

Edhe njohësi i çështjeve jurdike, Dritëro Arifi thotë se me ardhjen e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë, situata në veri do të qetësohet.

Arifi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, njësia speciale do të tërhiqet gradualisht dhe kryetarët do të ushtrojnë detyrën e tyre në vendet alternativë.

“Me ardhjen e tyre në Kosovë, normalisht që do të ketë qetësim të situatës në veri. Njësia speciale do të tërhiqet gradualisht, por në heshtje dhe kryetarët e rinjë do të ushtrojnë detyrën nga ndonjë vend tjetër alternativë”, tha Arifi.

“Kjo është zgjidhje imporvizuese, nuk është që e zgjidh problemin përfundimtar sepse asnjëherë nuk po trajtohet çështja në formën e duhur që të kemi paqe të qëndrueshme. Paqja e qëndrueshme nuk arrihet kur njëra palë favorizohet më shumë. Kjo është qasje e gabuar e perëndimit, duke menduar ta qetësojnë situatën vetëm përkohësisht me zgjidhje improvizuese”, shtoi ai.

Arifi thotë se zgjedhjet e reja do të mbahen në fillim të vjeshtës, sepse sipas tij duhet të ketë një garanci nga serbët që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

“Serbët nuk po duan ta zbatojnë marrëveshjen, mos-pjesëmarrja e tyre në zgjedhje e ka shkaktuar këtë krizë, normalisht me gabimet e Qeverisë në hapa.Situata do të qetësohet, zgjedhjet e reja do të mbahen me siguri në fillim të vjeshtës sepse e vështirë të organizohen shumë shpejt, pa e pasë edhe ndonjë marrëveshje politike që serbët do të garantojnë për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale”, tha Arifi për GazetaBlic.

Kujtojmë se, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, sot dhe nesër do të qëndrojnë për vizitë në Prishtinë dhe Beograd.

Escobar dhe Lajçak do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë. Ata do të priten sonte në orën 20:00 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Takimi mbahet në orën 20:00 në ndërtesën e Qeverisë”, thuhet në njoftim.

Escobar dhe Lajçak do të takohen edhe me presidenten Vjosa Osmani. Takimi i tyre pritet të mbahet nesër në mëngjes.

Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve.

Në mesin e kërkesave të përmendura për Qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale, dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa.