Lajme

“Mesazh i qartë për Vuçiqin”, Ahmetaj për vizitën e ministrave italianë e gjermanë në Beograd

02/08/2026 18:29
nga:G B

Ish-ministrja e Integrimeve, Mimoza Ahmetja, e ka quajtur lajm të mirë vizitën e paralajmëruar në Beograd të dy ministrave, atë gjerman, Johan Wadephul, dhe atë italian, Antonio Tajani.

“Lajm i mirë arritja e marrëveshjes së përbashkët mes Gjermanisë dhe Italisë dhe kthimi i vëmendjes te politika e zgjerimit për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Ahmeti në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Sigurisht që ky është një binom shumë interesant sepse ka të bëjë me një shtet siç është Gjermania e cila është shumë e saktë dhe të them, strikte, në qëndrimet sa i përket zgjerimit si dhe Italia që bën politika më pragmatike në raport me zgjerimin por edhe në përgjithësi me Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo në Klan Kosova.

Ahmetaj madje, për dallim prej vizitave të tjera, këtë e sheh si mesazh tepër të fuqishëm për presidentin serb, Alexandar Vuçiq.

“Lajm shumë i mirë po ashtu edhe për faktin se të dy këta ministra e kanë bërë të qartë se Ballkani Perëndimor mbetet në objektivë të tyre sa i përket zgjerimit, aq më tepër, për ministrin italian për të cilin të them Ballkani është edhe rajon fqinj, dhe sidomos janë dy shtete siç është Shqipëria dhe Mali i Zi të cilat kanë shënuar progres të avancuar sa i përket anëtarësimit, por jo më pak edhe shtetet e tjera”.

“Kjo vizitë jam shumë e sigurt do të ketë mesazh të qartë për Vuçiqin i cili është duke u ballafaquar që një kohë të gjatë me krizë brenda dhe jo rastësisht personaliteti i tij ruhet për ta kthyer në tavolinë të bisedimeve dhe të arritjes së një marrëveshjeje finale me Kosovën me kushtin që pastaj të vazhdojë drejt integrimit në BE”, ka përfunduar Ahmetaj.