Lajme

Mes zgjedhjes së kryeparlamentarit/es dhe zgjedhjeve komunale, cili është skenari për daljen nga kriza?

08/19/2025 12:09
nga:N K

Zgjedhjet nacionale në Kosovë janë mbajtur në shkurt të vitit 2025, megjithatë, akoma nuk është zgjedhur një kryeparlamentar, e as janë krijuar institucionet e reja.

Sipas profesorit universitar Gëzim Qerimi, kjo situatë në Kosovë është shqetësuese. Sipas tij, kjo gjendje po ndikon drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve te proceset demokratike në vend, raporton Gazeta Blic.

“Situata aktuale është shqetësuese, sepse Kosova prej muajsh funksionon në një gjendje të pasigurisë politike. Kjo gjendje po ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin institucional, në vendimmarrjen strategjike dhe, mbi të gjitha, në besimin e qytetarëve te proceset demokratike”, tha ai.

Sipas Qerimit, arsyeja që ka çuar në këtë ngërç politik është se disa aktorë, sipas tij, mendojnë se zgjedhjet e reja mund t’u sjellin më shumë përfitime sesa kompromisi aktual.

“Ngërçi buron nga mungesa e një shumice të qëndrueshme në Kuvend, mosbesimi i ndërsjellë mes subjekteve politike dhe një kulturë politike që shpesh e vë interesin partiak mbi interesin e shtetit. Zvarritja e formimit të qeverisë lidhet edhe me llogaritjet elektorale, pasi disa aktorë mendojnë se zgjedhjet e reja mund t’u sjellin më shumë përfitime sesa kompromisi aktual”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Ndërkohë që Kuvendi ende nuk është konstituuar, janë shpallur zgjedhjet komunale, zhvillim që, sipas Qerimit, mund të përkeqësojë më tej ndarjet politike në vend.

“Po, ekziston ky rrezik real. Nëse nuk mësojmë nga përvojat e dekadës së fundit, Kosova mund të mbetet peng i cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore dhe krizave institucionale. Kjo dëmton jo vetëm imazhin e vendit, por edhe proceset e integrimit dhe zhvillimit ekonomik.

Zgjedhjet komunale do të shërbejnë si një test për forcat politike dhe si një matës i disponimit të qytetarëve. Rezultatet e tyre mund të krijojnë presion shtesë mbi partitë që të ridimensionojnë qëndrimet në nivel qendror. Megjithatë, ka rrezik që këto zgjedhje të thellojnë përçarjet, në vend se të kontribuojnë në stabilitet”, tha ai.

Qerimi nënvizon rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila luan një rol vendimtar në mbikëqyrjen e ligjshmërisë së proceseve politike, edhe pse vendimet e saj shpesh kontestohen.

“Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç si arbitri përfundimtar i ligjshmërisë së proceseve politike. Vendimet e saj shpesh janë të kontestuara, por ato mbeten të detyrueshme. Sfida kryesore është që drejtësia të shihet si e paanshme dhe jo si instrument politik. Vetëm në këtë mënyrë mund të forcohet besimi qytetar”, tha ai.

Sa i përket zgjidhjes së krizës, ai konsideron se në rast të dështimit të një marrëveshjeje politike për formimin e qeverisë, mbajtja e zgjedhjeve të reja mbetet alternativa e vetme.

“Skenari më realist është një kombinim i presionit të brendshëm dhe të jashtëm për një marrëveshje politike që çon në formimin e një qeverie të re. Nëse kjo dështon, zgjedhjet e përgjithshme mbeten opsioni i vetëm. Çdo shtyrje e tejzgjatur e vendimmarrjes vetëm sa thellon krizën dhe e dëmton të ardhmen e vendit”, përfundon ai./Gazeta Blic/