Lajme

Mes rritjes së çmimeve, qytetarët hapin kuletat edhe për partitë

01/26/2026 11:35
nga:Genita C

Ndërsa disa qytetarë të Kosovës ankohen për çmime të larta dhe vështirësi për të përballuar shpenzimet mujore, të tjerë vazhdojnë t’i hapin kuletat sa herë që vendi hyn në fushatë zgjedhore.

Edhe zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura më 12 tetor dhe rundi i dytë më 9 nëntor 2025, nuk bënë përjashtim.

Nga 10 deri në 2.000 euro – kaq dhuruan dhjetëra qytetarë, anëtarë dhe simpatizantë për partitë më të mëdha politike në vend: Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi këtë muaj raportet e paaudituara të deklarimit financiar të subjekteve politike për fushatën e zgjedhjeve lokale.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi përmes rrjeteve sociale nga dy qytetarë që dhanë donacione për Vetëvendosjen, PDK-në dhe LDK-në, por, përkundër insistimit, asnjëri nuk pranoi të përgjigjej nëse gjesti i tyre ishte thjesht mbështetje e sinqertë politike, apo kishte ndonjë arsye tjetër.

Donacione që nuk janë gjithmonë mbështetje politike

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ekspertëve të ekonomisë, dhënia e parave për partitë politike nuk buron gjithmonë nga bindja ideologjike.

Altin Ademi nga organizata anti-korrupsion “Çohu” thotë se, ndonëse një pjesë e qytetarëve kontribuojnë si shprehje e mbështetjes politike, mungesa e një tradite të qartë të profilizimit programor i bën këto donacione të perceptohen si investim për favore të ardhshme.

“Në një kontekst ku besimi institucional është i brishtë, donacionet mund të shihen edhe si mënyrë për të ruajtur afërsinë me pushtetin apo për të krijuar pritje për përfitime – të drejtpërdrejta ose indirekte. Për këtë arsye, dhënia e donacioneve nuk është gjithmonë shprehje e pastër e bindjes politike”, thotë Ademi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, vlerëson se motivet janë të ndryshme: nga pritjet për punësim në institucione publike deri tek “obligimi” ndaj partisë që i ka punësuar më herët.

“… e një grup më i vogël për shkak të lidhjes dhe besnikërisë ndaj liderit të partisë”, sipas tij.

Si financohen partitë politike?

Partitë në Kosovë financohen nga dy burime kryesore: buxheti i shtetit dhe donatorët, që përfshijnë persona fizikë dhe juridikë.

Financimi publik realizohet përmes Fondit për Mbështetjen e Subjekteve Politike, i cili është rreth pesë milionë euro.

Ndarja bëhet sipas përfaqësimit të partive në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 ulëse, por, me ligj, ato kanë të drejtë të pranojnë kontribute shtesë për fushatë edhe nga personat fizikë dhe juridikë.

Personat fizikë mund të dhurojnë deri në 2.000 euro në vit, ndërsa personat juridikë deri në 10.000 euro, përfshirë edhe kontribute në mallra dhe shërbime.

Partitë në Kosovë financohen nga dy burime kryesore: buxheti i shtetit dhe donatorët, që përfshijnë persona fizikë dhe juridikë.

Financimi publik realizohet përmes Fondit për Mbështetjen e Subjekteve Politike, i cili është rreth pesë milionë euro.

Ndarja bëhet sipas përfaqësimit të partive në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 ulëse, por, me ligj, ato kanë të drejtë të pranojnë kontribute shtesë për fushatë edhe nga personat fizikë dhe juridikë.

Personat fizikë mund të dhurojnë deri në 2.000 euro në vit, ndërsa personat juridikë deri në 10.000 euro, përfshirë edhe kontribute në mallra dhe shërbime.

Sa mblodhën dhe sa shpenzuan partitë?

Sipas raporteve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend, grumbulloi 36.680 euro nga donacionet e qytetarëve. Pjesën më të madhe të financimit, ajo e kishte nga buxheti i shtetit – rreth 567 mijë euro.

Por, shpenzimet e fushatës së saj arritën në rreth 992 mijë euro, ndaj partia mbeti me një borxh prej afro 388 mijë eurosh.

PDK-ja mblodhi mbi 25 mijë euro donacione nga qytetarët, si dhe 223 mijë euro kontribute në mallra dhe shërbime. Në total, kjo parti kishte rreth 248 mijë euro në dispozicion, ndërsa fushata i kushtoi rreth 272 mijë euro.

LDK-ja raportoi vetëm 7.750 euro donacione nga qytetarët dhe 15.790 euro kontribute – gjithsej 23.540 euro, ndërsa fushata i kushtoi rreth 203 mijë euro.

AAK-ja përfitoi vetëm 1.000 euro donacion nga një anëtar dhe 5.200 euro kontribute në mallra dhe shërbime, si dhe rreth 80 mijë euro nga buxheti i shtetit. Shpenzimet e fushatës i kishte mbi 61 mijë euro.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk raportoi as donacione e as kontribute, por shpenzoi rreth 334 mijë euro, prej të cilave 155 mijë i paraqiti si të hyra buxhetore.

Raporte që nuk pasqyrojnë realitetin?

Sipas Ademit dhe Misinit, vlerat e raportuara shpesh nuk reflektojnë gjendjen reale në terren.

“Ekziston rreziku që donacionet individuale të përdoren si mbulesë për burime të tjera financimi, përmes ndarjes së shumave të mëdha në donacione më të vogla ose përdorimit të personave të tretë”, paralajmëron Ademi.

Misini shton se praktika të tilla janë të pranishme në Kosovë dhe se përbëjnë rrezik serioz për integritetin e procesit zgjedhor.

“Forma më e zakonshme përfshin para të gatshme, pastrim të tyre, shpërndarje në emra të ndryshëm dhe depozitim në llogari të punëtorëve”, thotë ai.

Kjo, sipas Misinit, krijon edhe një varësi të fshehtë të politikave nga grupet e interesit, si dhe cenon transparencën dhe llogaridhënien.

Në këtë kontekst, të dy ekspertët thonë se financimi i partive politike mbetet një nga fushat më të ndjeshme për demokracinë në Kosovë.

Pa transparencë reale, mbikëqyrje institucionale dhe informim të vazhdueshëm të publikut, rreziku i ndikimit të grupeve të interesit mbetet i lartë, thonë ata.

Në raportin e vitit të kaluar të organizatës Transperency International vlerësohej se Kosova ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, ndërsa më 2023, vendi u përmend në raport të Departamentit amerikan të Shtetit për korrupsion qeveritar.

Financimi i partive politike edhe në botë

Financimi i partive politike nga individë nuk është praktikë vetëm e Kosovës.

Në shumicën e demokracive perëndimore, qytetarët kanë të drejtë ligjore t’i mbështesin financiarisht partitë apo kandidatët që përfaqësojnë bindjet e tyre politike.

Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, individët mund të japin mijëra dollarë për kandidatët presidencialë, kongresistët apo partitë politike, ndërsa ligji u lejon edhe krijimin e të ashtuquajturave Political Action Committees (PACs), të cilat mund të mbledhin shuma shumë të mëdha për të mbështetur fushatat.

Edhe pse këto struktura janë ligjore, ato janë shpesh objekt kritikash, pasi donatorët e mëdhenj – biznesmenë, korporata apo individë me ndikim – mund të ushtrojnë presion jodirekt mbi politikat publike.

Në Kosovë, subjektet politike janë të obliguara me ligj që raportin financiar të fushatës ta dorëzojnë në KQZ jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.

Sipas ekspertëve, sfida për vendin nuk është ndalimi i donacioneve, por ndërtimi i një sistemi ku çdo euro e dhënë për politikën, është e verifikueshme dhe e arsyetueshme për publikun.

Ky diskutim zhvillohet ndërsa Kosova, për gati një vit, funksionon me institucione në detyrë, pa stabilitet politik dhe pa vendimmarrje të plotë.

Për më tepër, rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit nuk janë certifikuar ende, pasi mospërputhjet serioze në votat për deputetë detyruan KQZ-në të urdhërojë rinumërim të plotë në të gjitha vendvotimet.

Kjo vonesë institucionale ndodh në kohën kur qytetarët përballen me inflacion dhe kosto gjithnjë e më të larta të jetesës. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në dhjetor 2025 ishin mesatarisht 5.3% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. /REL/