Lajme

“Merre ose lëre”, plani franko-gjerman dhe çfarë do zgjidhte Albin Kurti?

02/15/2023 23:14
nga:Astrit Gashi

Propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ishte një tjetër pikë që u diskutua mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se plani franko-gjerman kërkon një sërë bisedimesh, të cilat janë kërkuar sipas tij nga ndërkombëtarët.

Ai iu përgjigj edhe pyetjes se çfarë do të vendoste nëse do të vendosej para zgjedhjes “merre ose lëre” të planit franko-gjerman.

Blendi Fevziu: Rikthehemi te plani franko-gjerman me tezën që besoj do të jetë dominuese, “Merre ose lëre”. Çfarë do zgjidhte Albin Kurti?

Albin Kurti: Po unë kam konsideruar që është platform solide dhe kam thënë po e marrim. Dhe tani pritet që të kemi takim të nivelit të lartë në Bruksel për të diskutuar çështjet e tjera sepse ka shumë nocione gjenerike.

Blendi Fevziu: Nga informacionet që kam unë, brenda konferencës së Mynihut diku në fillim të Marsit, të paktën autorët e planit, britanikët dhe gjermanët duan një përgjigjie finale. Pra, nuk duan që kjo çështje të zvarritet pafund. Edhe një herë si Kryeministër i Kosovës, nën presionin franko-gjerman, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të BE-së. Në gjithë këtë situatë, si do thoshe po apo jo për këtë plan?

Albin Kurti: Po unë kam thënë, për këtë propozim kam thënë po.

Blendi Fevziu: Në parim…

Albin Kurti: Do të hyjmë në bisedime dhe të shohim ku na shpiejnë.

Blendi Fevziu: Po nëse nuk ju pranojnë në bisedime?

Albin Kurti: Nuk është e mundshme sepse këtë s’po e kërkojnë ndërmjetësit. Nuk mund të ketë marrëveshje pa bisedime!

Blendi Fevziu: Pra, ju do t’u kërkoni ndërkombëtarëve të hapen një seri bisedimesh, me timing, me limit?

Albin Kurti: Nuk e kërkoj unë, ata vetë e kanë ofruar këtë gjë. Që ne të takohemi atje dhe mbi bazën e kësaj të bëjmë bisedimet.