Në gjykimin e rastit të njohur si 400 kilogram kokainë, të martën është dhënë fjala përfundimtare nga i akuzuari Faton Vrajolli dhe mbrojtësi i tij, avokati Leotrim Syla; nga Kadri Sheqiri, mbrojtësi avokati Xhafer Maliqi; nga Kadri Brahimi, mbrojtësi avokati Driton Musliu; si dhe nga Fehmi Bytyqi, mbrojtësi avokati Ramë Dreshaj.
Fillimisht, avokati Syla tha se me të marrë lëndën në përfaqësim kishte pyetur të akuzuarin Vrajolli nëse dëshiron të pranojë fajin, mirëpo sipas Sylës, Vrajolli ishte bindës që në fillim se nuk ka kryer veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, sipas Sylës, Vrajolli ishte drejtor i importit dhe kishte porositur mish të bardhë, me insistim, për shkak se në kompani kishte mungesa të theksuara të llojit të mishit që kishte përfaqësuar. Ky fakt vërtetohet me provat e dorëzuara.
Sipas Sylës, prokuroria ka dështuar të faktojë dhe tregojë se tek kush është bërë porosia e drogës nga ana e Vrajollit. Po ashtu, Syla tha se Vrajolli ishte i interesuar vazhdimisht për porosinë e mishit të bardhë për faktin se kishte mungesë të tij në kompani dhe se interesi për ardhjen e mishit tregon përgjegjësitë që kishte ndaj detyrave të punës si Drejtor i Importit.
Lidhur me pretendimet për blerje të veturave, Syla tha se nuk qëndron një pretendim i tillë, sepse veturat planifikoheshin të bliheshin për shkak të bonuseve që Vrajolli kishte realizuar në kompani.
Në lidhje me pretendimin tjetër se Vrajolli është takuar me Kadri Sheqirin për t’u marrë vesh për shpërndarjen e narkotikëve, sipas Sylës nuk gjen asnjë mbështetje përveç deklaratës së dhënë si dëshmitar bashkëpunues nga Sheqiri, nga e cila është tërhequr. Sipas Sylës, prokurori nuk ka marrë mundin të mbështesë këtë deklarim me hartografinë e bisedave telefonike që do të vërtetonte takimin e dy të akuzuarve në lokacionet që prokuroria pretendon.
Më tutje, Syla shtoi se nuk kanë paraqitur ankesë si mbrojtje ndaj aktvendimeve për vazhdim të masës së paraburgimit, pasi Vrajolli mbahet prej 5 vitesh, duke kërkuar të dalë nga burgu si i pafajshëm, e jo të lirohet vetëm nga paraburgimi.
Nga ana e tij, Vrajolli tha se gazetarja Klodiana Lala, përmes hulumtimeve të bëra, sqaron saktë se si bandat kriminale arrijnë të fusin drogën në kontejnerët me dërgesa në vendet e largëta.
Po ashtu, Vrajolli tha se për të qenë transportues i narkotikëve ka qenë detyrueshëm të jesh pjesë e grupeve SKY CC dhe Inkro Chat, dhe sipas tij, askush nga të akuzuarit nuk ka qenë pjesë e këtyre grupeve.
Vrajolli kërkoi të dijë pse u lejua të vinte droga edhe pse ishte diktuar në shtetin e Italisë. Ai shtoi se bandat kriminale mund të fusin jo vetëm 400 kilogramë, por edhe 4,000 apo 10,000 kilogramë, që sipas tij, do të konsideroheshin nga prokuroria si të lidhur me familjarët e Pablo Escobarit.
Më tutje, me fjalë përfundimtare vijoi avokati Maliqi, duke deklaruar se mbështet avokatët paraprak në deklarimet e tyre dhe duke dorëzuar me shkrim fjalën përfundimtare.
Ndërkaq, i akuzuari Kadri Sheqiri përmendi se në burg sipas tij e kanë detyruar të pijë hapa dhe përmendi prokurorin dhe drejtorin e burgut, duke thënë se kanë vepruar në kundërshtim me interesat e tij.
Më pas vijoi avokati Musliu, duke dorëzuar me shkrim po ashtu fjalën përfundimtare dhe duke kërkuar që ndaj Kadri Brahimit të shpallet aktgjykim lirues.
Ndërkaq, vet Brahimi tha se do të bëjë vetëvrasje nëse dikush e përmend se ai ka lidhje me narkotik, duke shtuar se është krenar që ka punuar për kompaninë “MC FOOD”.
Krejt në fund, avokati Ramë Dreshaj dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare, duke shtuar se Fehmi Bytyqi ishte shofer dhe nuk kishte vepruar më shumë ose më pak sesa i përcaktonte kontrata e punës, deklarim të cilin e mbështeti i akuzuari Bytyqi.
Më pas, gjykimi u shpall i përfunduar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni, duke deklaruar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 19 mars 2026.


