Lajme

Merr flakë trageti në Filipine, 5 të vdekur dhe 87 të zhdukur

09/10/2026 10:00
nga:Y I

Një zjarr i madh ka përfshirë një traget pranë ishullit turistik Coron, në provincën Palauan të Filipineve, duke shkaktuar të paktën pesë viktima dhe duke lënë 87 persona të zhdukur.

Trageti M/V June Aster ndodhej rreth 2.2 kilometra larg bregut kur shpërtheu zjarri të mërkurën në mbrëmje.

Roja Bregdetare e Filipineve tha se deri tani janë shpëtuar 42 persona, mes tyre 38 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Në bordin e tragetit figuronin gjithsej 134 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.

Autoritetet theksuan se shifrat mund të ndryshojnë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Trageti ishte nisur nga Manila dhe po lundronte drejt zonës së Coronit kur mori flakë. Pamjet e publikuara nga Roja Bregdetare tregojnë pjesën më të madhe të anijes të përfshirë nga zjarri. Ende nuk është bërë i ditur shkaku i incidentit.

Filipinet, një vend me më shumë se 7,000 ishuj, përballet shpesh me aksidente detare për shkak të kushteve të vështira të motit, mirëmbajtjes së dobët të mjeteve lundruese, mbipopullimit dhe zbatimit të dobët të rregullave të sigurisë.

/tvklan.al/