Në përvjetorin e parë të helmimit të opozitarit rus, Aleksei Navalny, kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që ta lirojë atë nga burgu.
Këto komente Merkel i bëri pasi u takua në Moskë me Putinin.
“I kërkova presidentit rus që ta lirojë Navalnyn”, tha Merkel në një konferencë për media pas takimit në Kremlin.
Kjo është vizita e fundit zyrtare e Merkelit në Rusi, pasi ajo do të pensionohet nga politika muajin e ardhshëm.
Navalny, një kritik i presidentit Putin, u sëmurë rëndë një vit më parë teksa po fluturonte në Siberi. Avioni me të cilin po udhëtonte bëri ulje të detyrueshme në Omsk, ku ai u dërgua në spital.
Disa ditë më pas, ai u dërgua në një klinikë në Berlin për trajtim mjekësor.
Disa laboratorë kanë thënë se Navalny është helmuar me një agjent nervor, të prodhuar në kohën sovjetike, të grupit Noviçok.
Navalny e ka fajësuar Putinin për helmimin, por këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini.
Navalny u arrestua pasi arriti nga Gjermania në Rusi më herët gjatë këtij viti.
Në përvjetorin e parë të helmimit të Navalnyt, Britania ka sanksionuar disa rusë, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në “tentim vrasje”.