Sporti

Merino te Arsenali është vetëm çështje kohe: Spanjolli nuk stërvitet me Real Sociedad

08/21/2024 14:19
nga:Lorik J

Arsenali po afrohet. Mikel Merino ka kohë që është në bisedime me Topçinjtë, por tashmë duket se është shumë pranë një transferimi në Angli. Mesfushori i Real Sociedad nuk po stërvitet me grupin, zyrtarisht për shkak të një problemi me shpinën, por gjithçka sugjeron se arsyet lidhen edhe me merkaton. 

Kështu raporton Marca, sipas së cilës dje presidenti i Real Sociedad, Jokin Aperribay, është parë duke marrë një fluturim për në Londër, me siguri për të shkuar dhe për të mbyllur marrëveshjen në selinë e klubit anglez. Ndërmjet sot dhe nesër, pra, transferimi i reprezentuesit spanjoll në Arsenal mund të bëhet realitet.

Kujtojmë se në ndeshjen e fundit të Real Sociedad në Anoeta, të dielën e kaluar, Merino nuk u thirr për shkak të negociatave të vazhdueshme mes skuadrës baske dhe Arsenalit. Përfundimi i operacionit tashmë është vetëm çështje kohe: Mikel Arteta po përgatitet të mirëpresë Merino në ditët në vijim.

/GazetaBlic Sport/