Doli nga shtypi libri “Mbi çështjen shqiptare – bashkëbisedim me Arbën Xhaferin”, i autorit Musli Krasniqi.
Libri përmban intervista me politikanin dhe personalitetin e shquar shqiptar, Arbën Xhaferi, të realizuara nga autori në vitet 2006-2009 dhe të botuara në shtypin e kohës në Prishtinë.
Tema kryesore e librit është çështja e Kosovës, por edhe temat tjera trajtojnë çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi, me shtrirje në kohë të një harku gati tri vjet dhe në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare. Në libër trajtohen edhe zhvillime historike të Serbisë dhe të politikave të saj antishqiptare, si dhe analiza të karakterit global, por gjithnjë në funksion të temës kryesore. Zhvillimet historike në Kosovë që kishin tërhequr vëmendjen dhe angazhimin ndërkombëtar e kanë bërë temën qendrore të librit.
Në parathëniet nga veprimtari Mehmet Hajrizi dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, vlerësohet se libri përbën orientim dhe referencë, jo vetëm për studiuesit por edhe për veprimtari praktike shtetërore. Si i tillë, ka karakter njohës, edukues, frymëzues dhe udhëzues, të cilat do t’u duheshin personaliteteve të larta të shtetit e deri te lexuesi i rëndomtë.
Po ashtu libri përmban hyrjen nga autori Musli Krasniqi, i cili aktualisht ushtron detyrën e drejtorit për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës.
Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Ura” në Prishtinë.