Sporti

Menaxheri i Gjilanit, Sylejmani: Llapi një skuadër e vështirë, por Kupa e Kosovës është një tjetër objektiv i klubit tonë

02/10/2022 13:21
nga:Mergim Rreci

Në ambientet e FFK-së është hedhur shorti për raundin tjetër në Kupën e Kosovës.

Tashmë janë mësuar çiftet çerekfinaliste, atje ku do të kemi ndeshje shumë interesante, shkruan GazetaBlic Sport.

Skuadra e Gjilanit do të përballet me Llapin, me dy skuadrat që pritet të ofrojnë spektakël të madh në fushë.

Menaxheri i skuadrës së Gjilanit, Drilon Sylejmani tha se do të jetë një ndeshje e vështirë ajo ndaj Llapit, por se synojnë kalimin tutje për faktin se Kupa është një tjetër objektiv i tyre.

“Kundërshtar i vështirë, duke ditur që Llapi është fituesi aktual i Kupës dhe është në një formë mjaft të mirë. Megjithatë, ne synojmë kalimin e këtij raundi, pasi Kupa është një tjetër objektiv i klubit tonë”, tha Sylejmani për ‘GazetaBlic Sport’.

/GazetaBlic Sport/