Opinion

Memorial për të gjithë Jasharajt e flijuar me 5, 6 dhe 7 mars ‘98

07/09/2021 16:24
nga:Arianit Bytyqi

Shkruan: Arianit Bytyçi

Kosova dhe Prishtina si kryeqytet i saj duhet ta ketë monumentin e familjes heroike Jashari të Prekazit.

Pra, monumenti që do të përfshinte mes tjerash edhe shtatoret, përveç që do të prezentonte figurën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, duhet të jetë një monument gjithpërfshirës, ku duhet të prezentohet flijimi i të gjithë familjarëve të komandantit legjendar, anetarë tjërë të familjes Jashari dhe bashkeluftetarëve tjerë të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz.

Madhështia e Epopesë së Jasharajve qëndron pikërisht në faktin se në këtë epope kane rënë heroikisht 3 gjenerata të familjes së komandantit Adem Jashari: ka rënë heroikisht komandanti, vëllau i tij, babai e nëna, fëmijët e tij e të vëllezërve te tij, daja, kanë rënë prindërt e luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, Musa e Sahit Jashari, dhe bashkeluftetaret tjere te Prekazit e te Drenices. Prandaj, duhet te kete monument të të gjithe Jasharajve të flijuar për lirinë e Kosovës.

Ky monumet gjithpërfshirës që prezenton sakrificën dhe flijimin e të gjithë Jasharajve të rënë në Epopenë e UÇK-së, e madhështon lavdinë e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Për të realizuar këtë monument të Epopesë së UÇK-së, të Epopesë së Jasharajve, duhet të ketë qasje të integruar ndërinstitucionale, ku duhet të përfshihen përmes një komision ndërinstitucional këto institucione:

– Qeveria e Kosovës (përmes Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës)
– Kuvendi i Kosovës (përmes Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale)
– Komuna e Prishtinës (përmes Drejtorisë së Kulturës, Drejtorisë së Planifikimit dhe asaj të Urbanizmit)
– Familja Jasharaj nga Prekazi
– Shoqatat e dala nga lufta;

Ky grup ndërinstitucional pas analizave dhe diskutimeve edhe me publikun, do të duhej të përzgjidhte një lokacion adekuat reprezentativ për projektimin dhe ndërtimin e Monumentit të Epopesë së UCĶ-se, pra Epopesë së Jasharajve të Prekazit, ku do të mund të prezentohej në mënyrë të dinjitetshme flijimi heroik i gjithë familjes Jashari.

Në këtë kuadër, grupi teknik profesional që do të duhej të rridhte nga komisioni ndërinstitucional do të angazhohej për përgatitjen e një detyre projektuese të mirëfilltë, që do t’i paraprinte shpalljes së një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës.

Detyra projektuese do të duhej të paraqiste objektiva dhe parime bashkëkohore të arkitekturës, skulpturës, të artit e të arkitekturës së peisazhit, në mënyrë që monumenti i Jasharajve, i komandantit Adem Jashari, familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij të rënë në mars të vitit 1998, të ketë identitet origjinal, të ketë përmbajtje, të ketë mesazh dhe të jetë ikonë – “landmark” arkitektonik i Prishtinës e i Kosovës.

Vetëm me këtë qasje serioze institucionale do të mund të inkurajonim pjesëmarrjen e mendjeve më të ndritura të arkitekturës dhe skulpturës botërore dhe vendore dhe në këtë mënyrë do të arrinim të realizonim një monument të denjë të lirisë së Kosovës, që do të prezentonte në mënyrën më të mirë sakrificën dhe flijimin unik të familjes Jashari të Prekazit për lirinë e Kosovës.