Lajme

Memli Krasniqi: PDK s’është shkëputur kurrë nga Malisheva, e as Malisheva nga PDK-ja

09/07/2021 17:07
nga:M K

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka qëndruar gjatë ditës në Malishevë, ku është takuar me strukturat e partisë, respektivisht me kandidatin nga kjo parti për të parin e komunës, Isni Kilajn.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”,  ai ka thënë se PDK nuk është shkëputur kurrë nga Malisheva, e as Malisheva nga PDK-ja, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Partia Demokratike e Kosovës nuk është shkëputur kurrë nga Malisheva, e as Malisheva nga Partia Demokratike e Kosovës. Sepse lidhja e PDK-së me Malishevën dhe e Malishevës me PDK-në, është lidhje më e madhe e më e fortë, sesa disponimi politik e elektoral i një kohe të caktuar.
Sepse Malishevën dhe PDK-në i lidhin bashkë shumë gjëra. Por, mbi të gjitha, janë dy. Identiteti i luftës sonë çlirimtare dhe i kauzës sonë kombëtare për pavarësi e shtet ndërtim. Dhe, historia e qeverisjes transformuese e zhvillimore, të cilën ne e kemi nisur, e kemi zhvilluar dhe e cila fatkeqësisht, prej kohës kur nuk jemi më në qeverisje, ka stagnuar dhe ka degraduar.
Prandaj, në këto zgjedhje jam shumë i lumtur që qytetarët e Malishevës janë bashkuar pa dallime dhe kanë vendosur ta mbështesin fuqishëm PDK-në dhe ta zgjedhin Isni Kilajn kryetar komune, për ta rinisur zhvillimin e transformimin aty ku e kanë lënë, për ta nxjerrë Malishevën në nivelin që e meriton.
Kryetari i ardhshëm Isni Kilaj dhe kandidatët e PDK-së për Kuvendin Komunal, e kanë të qartë se i pret shumë punë, për të ndërtuar të ardhme më të mirë për banorët e kësaj komune. Për ndërmarrësit, për punëtorët, për fermerët, për të rinjtë e të rejat që e duan qytetin e tyre dhe duan të zhvillohen brenda tij e me punë e përkushtim ta zhvillojnë edhe atë.
Dhe një shpresë e tillë, nuk rikthehet pa agjendë konkrete, pa agjendë zhvillimore e as pa përkushtim e vendosmëri për t’i shkuar këtij plani e këtij vizioni deri në fund. Ky është fokusi i vetëm i Isni Kilajt dhe i PDK-së në këto zgjedhje në Malishevë. Agjenda e zhvillimit, e mirëqenies dhe e mundësive të reja për të rinjtë dhe të rejat e kësaj komune.

/GazetaBlic/