PDK-ja e ka zgjedhur kryesinë e re, ku në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues është votuar me shumicë votash propozimi i kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se është i nderuar me emrat që e përbëjnë ekipin e tij.
Shkrimi i plotë:
Falënderoj anëtarët e Këshillit Drejtues të PDK-së që pas diskutimeve e debatit të hapur, sot miratuan Kryesinë e re që do ta udhëheqë partinë drejt rikthimit në fitore të reja për Kosovën dhe qytetarët pa dallim.
Në Kryesinë e PDK-së ka njerëz të devotshëm, që si të rinj kanë besuar e janë rritur organikisht në PDK.
Kryesia përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë përvojë në politikën kosovare jashtë PDK-së, e të cilët, tashmë janë të bindur se vetëm brenda PDK-së e me PDK-në, Kosova ecën në rrugën e duhur të zhvillimit e integrimit, përvoja e të cilëve e plotëson mozaikun tonë gjithëpërfshirës e të pa alternativë.
Përbëhet po ashtu nga njerëz komplet të rinj, jo veç në PDK por edhe në politikë, të cilët janë vlerë e shtuar e që përbëjnë avantazh për ne, por që janë profesionistë, e njerëz kompetent me përvojë në fushat e tyre, të cilët sot na duhen e të cilët i kanë besuar vizionit tonë.
Pra, një kryesi, që e lidhë çdo hallkë të PDK-së, të përvojës së saj, të identitetit të saj, të profesionalizmit dhe qeverisjes së saj, dhe të perspektivës së saj në të ardhmen.


