Lajme

Memli Krasniqi: Nuk mund të ketë shtet të zhvilluar pa sektor privat të fuqishëm

02/22/2023 21:05
nga:Genita C

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës është pritur sot në Gjilan nga ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve, ku u njoftua me sfidat e tyre të përditshme, sidomos tani në këtë periudhë të krizës ekonomike.

Kreu i PDK-së tha se nuk mund të ketë shtet të zhvilluar pa sektor privat të fuqishëm.

Krasniqi ka shkruar në faqenne tij në Facebook se gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e bizneseve në Gjilan ndanë shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore, sepse shumë profesionistë po e lënë Kosovën në mungesë të perspektivës në vend.

“Ky fakt, përveç i dhimbshëm, është edhe shqetësues. Me këtë trend të ikjes, Kosova po rrezikon të mbetet një vend i braktisur. Keqqeverisja dhe trajtimi armiqësor ndaj bizneseve, po i dekurajon ndërmarrësit. Kjo politikë i ka larguar edhe ata pak investitorë të huaj që kishin filluar ta shohin Kosovën si vend potencial për investime”, ka shkruar Krasniqi në faqen e tij në Facebook.

Lideri i opozitës tha se shteti duhet të ketë rolin e vet vetëm si partner dhe krijues i kushteve më të mira për bizneset të cilat duke u rritur e forcuar, krijojnë vende pune të qëndrueshme me paga dinjitoze.