Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me kandidatin e PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari, ka takuar kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenas.
Krasniqi duke thënë se ata kanë qenë gjithmonë burimi i fuqisë dhe i mbështetjes për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, dhe për PDK-në, ka bërë thirrje që të bëhen të gjithë bashkë për Petrit Hajdarin kryetar të Drenasit.
“Të bëhemi të gjithë bashkë për fitoren e PDK-së, sepse krejt e dinë kjo është Drenica, ky është Drenasi, kjo është PDK-ja, kjo është historia jonë dhe kjo është e ardhmja jonë. Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, rroftë Partia Demokratike e Kosovës, rroftë Drenasi i PDK-së dhe fitorja jonë më 12 tetor me PDK-në me numrin 191”, tha ai.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen masive duke thënë se të gjithë bashkë më 12 tetor do ta japin mesazhin se Drenasi nuk thehet.
“PDK në Drenas është e madhe , është e pathyeshme, sepse e ka mbështetjen e veteranëve të UCK-së dhe askush nuk mund ta thyej. Drenasi do të mbesë bastion i pathyeshëm i PDK-së. E kemi amanet të liderëve tanë historikë prej Presidentit Thaçi, kryetarit Veseli e Jakup Krasniqit”, tha Hajdari.


