Zgjedhjet Lokale

Memli Krasniqi me videomesazh, kërkon votën e qytetarëve për 8 kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash (Video)

11/08/2021 11:05
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pëmes një videoadresimi në Facebook u ka kërkuar qytetarëve mbështetje për tetë kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash, të cilët do të garojnë në balotazh më 14 nëntor.

“Fitorja e radhës na pret më 14 nëntor. Sepse, kandidatët më të mirë në Prizren, Vushtrri, Klinë e Malishevë, ashtu si në Drenas, Kaçanik, Dragash e Shtime, janë në numrin 177. Mbështetja e tyre të dielën është lajmi më i mirë për qytetarët e këtyre komunave për katër vjetët e ardhshme”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka falënderuar qytetarët për besimin që i dhanë PDK-së dhe kandidatëve të saj për kryetarë komunash dhe për Asambletë Komunale më 17 tetor.

“Fituam më së shumti komuna e asamblistë, në raundin e parë, dhe tani një tjetër fitore na pret në raundin e dytë. Në tetë komunat ku ne garojmë në balotazh, kandidatët tanë përfaqësojnë vlerat më të mira dhe kanë programet më të duhura.”, thotë ai.

Krasniqi shprehet se në Prizren, Vushtrri, Klinë dhe Malishevë, duhet të rikthehet modeli qeverisës zhvillimor e transformues i PDK-së, ashtu siç është e nevojshme dhe tejet e rëndësishme që të vazhdohen qeverisjet shembullore në Drenas, Kaçanik, Shtime dhe Dragash.

“Më 14 nëntor, na duhet mbështetja e juaj, e tillë si në raundin e parë, kur tejkaluat barrierat partiake dhe votuat PDK-në, për ta fituar qeverisjen e mirë që meritoni, me kryetarë që punojnë pa dallime dhe ndershmërisht. Prandaj, le të bëhemi bashkë për fitoren e radhës, në numrin 177, për të qeverisur në katër vjetët e ardhshme, bashkë për Kosovën.”, përfundon videomesazhin e tij Krasniqi.