Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u ka thënë partnerëve evropianë dhe amerikanë, se Italia nuk do të vendosë trupa në Ukrainë si pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë.
Meloni mori pjesë në takimin e Parisit të përqendruar në nismat negociuese për të finalizuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, transmeton Telegrafi.
Qeveria italiane tha se këto garanci janë “të frymëzuara nga Neni 5 i Aleancës Atlantike, siç është sugjeruar prej kohësh nga Italia”.
Ato pritet të jenë pjesë e një pakete më të gjerë marrëveshjesh që do të miratohen në koordinim të ngushtë me SHBA-në, “përfshirë përmes një mekanizmi efektiv dhe të strukturuar mirë për të monitoruar armëpushimin e shpresuar dhe një forcim të forcave ushtarake ukrainase”.
“Duke konfirmuar mbështetjen e Italisë për sigurinë e Ukrainës, në përputhje me atë që është bërë vazhdimisht, kryeministrja Meloni përsëriti një numër pikash të fiksuara të qëndrimit të qeverisë italiane mbi çështjen e garancive, në veçanti përjashtimin e trupave italiane që do të vendosen në terren”.
Deklarata gjithashtu vuri në dukje se pjesëmarrja e vendeve të koalicionit në forcat shumëkombëshe do të jetë vullnetare, dhe se çdo vendim për mbështetjen e Ukrainës në rast të një sulmi të ri, duhet të merret në përputhje me procedurat kushtetuese kombëtare.


