Publicisti Kim Mehmeti, në emisionin “Këndi i Kimit” në Tëvë1, ka folur për procesin e rinumërimit të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku dyshohet se ka pasur manipulime të votave.
Sipas Mehmetit, vjedhja e votave në Kosovë nuk është një dukuri e re dhe ka ndodhur edhe në të kaluarën, madje me pëlqimin ose urdhrin e drejtpërdrejtë të udhëheqësve partiakë.
“Unë e kam thënë se zgjedhjet në Kosovë janë ndër më të montuarat në botë. Kjo dukuri e vjedhjes së votave nga partitë është e vjetër, nuk është e tanishme. Ajo është bërë me pëlqim, madje edhe me urdhër partiak, sepse vetëm në atë mënyrë ata kanë mundur t’i bëjnë deputetë të pëlqyerit e vet dhe të mos bëhen deputetë ata që kanë qenë të preferuarit e popullit”, ka deklaruar Mehmeti.
Ai ka shtuar se ka dëgjuar për raste të shumta, edhe më herët, kur qytetarë dhe kandidatë kanë qenë të vetëdijshëm se votat e tyre janë vjedhur, por nuk kanë guxuar të reagojnë publikisht.
“Kam dëgjuar edhe më parë për ankesa të njerëzve që e kanë ditur se u janë vjedhur votat, por nuk kanë guxuar ta ngrenë zërin nga frika se kryetarët e partive mund t’i ndëshkojnë. Pra, është një fenomen që nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e drejtuesve partiakë, shkurt dhe shqip”, ka theksuar Mehmeti.


