Lajme

Mehmeti flet për rregulloren e re të BQK-së: Euro është valuta zyrtare e Kosovës

01/19/2024 19:09
nga:Sh R

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, thotë se në Kosovës vetëm valuta euro është zyrtare.

Mehmeti thotë se në Kushtetutën e Kosovës tregohet qarte se duhet të përdoret vetëm një valutë e vetme.

“Në Kushtetutë tregohet qartë se në Kosovë përdoret vetëm një valutë e vetme, pastaj te Ligji i Bankës Qendrore njashtu thotë se përdoret vetëm një valutë, pastaj neni 17 thotë se mund të ketë kartëmonedha dhe monedha në vlerën euro. Prandaj, euro është valuta zyrtare e Kosovës”, tha ai në emisionin “Ditari”.

Në rastin kur qytetarët serbë këmbejnë para me ndonjë dyqan, Mehmeti thotë se nëse ai është i palicencuar duhet të ndodh reagimi i Policisë së Kosovës.

“Për aktivitet ose në rastet kur dinari përdoret në ndonjë market apo dyqan i cili fillon me këmbye që është i palicencuar për të kryer këmbime valutore, atëherë në raste të tilla ndodh reagimi i Policisë së Kosovës, por gjithmonë me njoftimin që i shkon nga Banka Qendrore”, tregoi ai.

Mehmeti tregoi edhe dallimin se kur dhe ku mund të përdoren valutat që nuk janë në vlerën euro.

“Valutat tjera jo-euro, mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtjen në formën fizike apo në llogari bankare në valutat jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetin e këmbimit valutor”, shtoi ai.

Më 17 janar, BQK njoftoi se nga 1 shkurti, valutë e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë, do të jetë euroja.

Dinarët në Kosovë kanë ardhur nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”. Në rregulloren e BQK-së thuhet se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.