Lajme

Mehmetaj thotë se është e vërtetë që ka dëgjuar se kishte një dhomë në Zllash ku janë mbajtur njerëz dhe se s’beson se kjo është e vërtetë

03/23/2022 17:11
nga:Genita C

Pas shumë diskutimesh me prokuroren Silvia D’ascoli, dëshmitari  Brahim Mehmetaj ka konfirmuar se është e vërtetë se ka dëgjuar se ka pasur një dhomë në Zllash, ku janë mbajtur njerëz, por se nuk beson se kjo është e vërtetë e se Salih Mustafa ka dëgjuar për këtë.

Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Silvia D’ascoli, dëshmitari Brahim Mehmetaj, ka pohuar se pseudonimi i tij ka qenë “Bimi” dhe se i tillë ka qenë që nga lindja, ku kështu e kanë thirrë familja, miqtë e të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, mohoi se ka njohur ndonjë person tjetër që thirrej “Bimi” në njësitin BIA dhe se në këtë njësit ka qenë vetëm ai me këtë pseudonim.

Tutje, ai tha se UÇK ka pasur numër të madh të njerëzve nëpër njësite dhe ka mundur të ketë njerëz që kanë pasur pseudonimin “Bimi”, por se brenda organizimit të guerilës nuk ka pasur tjerë me këtë pseudonim.

Dëshmitari Mehmetaj tha se nevoja për liri ka qenë që të bashkohen dhe të formojnë njësitet për t’i bërë rezistencë sulmeve të armikut.

Ai ka thënë se kur ka dalë Salih Mustafa nga burgu janë takuar dhe kanë biseduar për formimin e këtij njësiti e se më vonë janë marrë urdhrat nga zona operative e Llapit.

Ky dëshmitar ka thënë se realisht kanë bërë punë të përbashkët me Salih Mustafën, pastaj urdhrat Mustafa i ka marrë direkt prej zonës operative të Llapit. Ekzistencën e BIA-s, tha se e ka miratuar komandanti i shtabit të zonës.

Mehmetaj deklaroi se kanë qenë vullnetarë dhe askënd nuk kanë mundur ta detyrojnë të shkoj në luftë.

“Nuk ka pas urdhra absolut, që këso si funksionojnë ushtritë moderne botërore”, ka thënë ai.

Prandaj, tha se kanë pasur bashkërendim në punë, detyra e obligime.

“Raporti Salih Mustafa dhe raporti im, ka qenë një raport ku unë kam qenë zëvendës i tij. Detyrat e punët që i merrte te zona operative e Llapit i binte te ne dhe ne vazhdonim t’i bënim detyrat”, ka thënë ai.

Tutje, tha se është e vërtetë që ka marrë detyrë nga komanda e zonës operative të Llapit të bëjnë vëzhgimet e raportet e pastaj me ato incizime, skica e përshkrime që i kanë bërë, i kanë përcjell te zona operative e Llapit.

Mehmetaj konfirmoi që informacionin që mblidhej nga njësiti i BIA-s, raportohej te Salih Mustafa dhe ai bënte raportimin më tutje te komanda e zonës operative.

Prokurorja D’ascoli e ka pyetur se a ishte e rëndësishme që UÇK të gjente dhe identifikonte kolaboracionistët.

“Për UÇK ka qenë e rëndësishme dhe e domosdoshme liria dhe arritja e lirisë, lufta kundër okupatorit dhe kjo ka qenë më e rëndësishmja për UÇK, për aq sa di unë”, tha dëshmitari Mehmetaj.

Ai tha se e ka vështirë t’i përgjigjet kësaj pyetje pasi nuk kanë pasur ndonjëherë punë me kolaboracionista.

Dëshmitari tha se nuk ka njohuri dhe në prezencën e tij, nuk është diskutuar ndonjëherë kjo problematikë dhe se është diskutuar vetëm problemi që kanë pasur me okupatorin pushtues që ka qenë në Kosovë.

Ai u pyet se a ishte në dijeni të ndalimeve në Zllash dhe e mohoi këtë.

“Unë sot këtu jam nën betim për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e për ta thënë bazohem në atë që e kam pa, e kam prek fizikisht, e kam pa si me thënë ose ma ka thënë dikush që ka qenë akter aty. Në këto drejtime, jam në betim dhe nuk flas me fjalë të rrugëve e gjëra tjera. Me respektin për gjykatën këtë e bëj sot, e them të vërtetën dhe vetëm të vërteten”, tha Mehmetaj tutje.

Prokurorja sërish e pyeti nëse nuk ka dëgjuar ndonjë diskutim lidhur me kolaboracionistë gjatë kohës kur ka qëndruar në UÇK.

“Nuk kam pa, nuk kam pas njohuri, nuk kam dëgju për kolaboracionistë në UÇK”, u përgjigj ai.

Më pas, atij iu lexua pjesë nga transkripti i intervistës me prokurorinë në janar të vitit 2020, ku prokurori kishte pyetur “Pra, klaboracionistë shqiptarë mbaheshin të ndaluar në vende si Llapashtica, Bajgora, por a kishte persona shqiptarë që mbaheshin të ndaluar në Zllash që dyshoheshin për kolaboracionistë”.

“Përgjigja juaj : kam informacion, e kam marrë këtë informacion pas lufte, atëherë në Zllash kishte një dhomë, ku ndaloheshin njerëz. Pyetja e prokurorit: Ç’lloj njerëzish ndaloheshin dhe ju jeni përgjigjur: nuk kam informacion të mëtejshëm nëse ishin kolaboracionistë, nëse ishin ushtarë, nëse ishin njerëz që shkaktonin dëm, nëse kishte hajdutë apo çfarë lloj njerëzish ishin”, lexoi prokurorja.

Dëshmitari tha se të lexohet deklarata më poshtë e tij gjendet edhe përgjigja që po e thotë tani.

“Unë kam thënë vetëm me të nime, të dëgjuara pas lufte që nuk janë të konfirmuara dhe mund nuk janë të vërteta. Unë këtu jam nën betim dhe nuk mund të flas me gjëra që janë folë rrugëve pa ndonjë adresë”, u përgjigj Mehmetaj.

Tutje, shtoi se e di mirë çfarë informata ka pasur apo dijeni ka pasur dhe se në pasusin më poshtë del ajo çka e ka thënë më poshtë se këto informata janë të pasakta, të pasigurta, të cilat janë folë rrugëve.

“Sot e përfaqësoj vetëm atë që unë e di, që e kam të konfirmume dhe që është e vërtetë”, tha ai.

I njëjti tha se dallimi në mes asaj që është dëgjuar dhe dijenisë së tij dallon shumë.

“Sot e përfaqësoj të vërtetën sepse jam në betim”, tha ai sërish, duke thënë se nuk përfaqëson atë që është folë në rrugë.

Ai u pyet se a është e vërtetë që u ka thënë prokurorëve që ka dëgjuar për ndalimin në Zllash, e tha se kjo pjesë është “okay” dhe se ka folur për atë që ka dëgjuar, e jo çfarë ka parë vet dhe ka dijeni vet.

“Keni dëgjuar se kishte një dhomë ku ndaloheshin njerëzit në Zllash kështu”, pyeti prokurorja.

“Pas asaj që e nderuara gjykatëse më sqaroj, nuk e di a është me rëndësi për drejtësinë ajo çka flitet dhe nëse është e pavërtetë. Nëse e vlerësoni muj me u fut edhe në këtë temë, por mendoj se nuk jam i obliguar me thënë gjëra që nuk janë të vërteta tash këtu”, tha Mehmetaj.

Prokurorja D’Ascoli i tha se a i kujtohet se ka thënë se ka dëgjuar se janë ndaluar njerëz në Zllash.

“Nëse gjykatësja thotë se është në shërbim të drejtësisë po vazhdoj po përgjigjna në pyetjet që i bën prokurorja”, tha Mehmetaj.

“Ajo që është në shërbim të drejtësisë do ta shohim. Por, këtu jeni për të dhënë përgjigje çfarë keni parë, përjetuar, dëgjuar. Nëse është çka keni dëgjuar mund t’ia thoni trupit gjykues”, tha Mappie Veldt- Foglia.

E më pas, ai deklaroi se është e vërtetë se ka dëgjuar se ka pasur një dhomë në Zllash, ku janë mbajtur njerëz. Ndërkaq, tha se në bazë të asaj që ka dëgjuar bëhet fjalë për atë kompleksin e shtëpive.

“Jo i përdorur nga BIA, por i përdorur nga të gjithë. Edhe tjerët e kanë përdor, jo vetëm BIA, edhe qytetarë civilë, edhe ushtarë siç e thash më herët”, tha ai, duke iu referuar kompleksit në fjalë.

Prokurorja e ka pyetur se a e ka fjalën për godinën lart në kodër që panë në foton ajrore, ku BIA kishte dhoma që i përdorte, e ai konfirmoi këtë.

I pyetur se nga dëgjoi këtë informacion, ai tha se ka qenë informacion që është folë dhe nuk e ka të qartë, as të njohur në memorien e tij se ku është folur, por është folur diku që shumë e beson se nuk është e vërtetë.

“Unë nuk kam njohuri, nuk e di , nuk më kujtohet kush e ka thënë këtë punë”, tha ai.

Tutje, i pyetur se a do të kishte dijeni Salih Mustafa për ekzistencën e një vendi të tillë, ai tha se në bazë të organizimit të gueriles BIA, nuk e ka pasur atë kompetencë as me ditë, as ta bëjë atë punë as të ndërmarrë ato veprime.

“Asnjëherë nuk e kemi diskutu me Calin këtë temë, nuk e di a ka pas njohuri, por besoj plotësisht se nuk ka pasur dijeni”, ka thënë ai,  duke shtuar se nuk ka pasur i akuzuari kompetencë të merret me këto tema dhe nuk kanë qenë tema të tyre këto.

Ndër të tjera, ai i tha prokurores se po udhëhiqen nga paragjykimi për të zbuluar të pavërtetën dhe tha se nuk e kanë diskutuar asnjëherë këtë punë me Salih Mustafën.

“Fjalët e mia po transmetohen ndryshe, për atë e bëra reagimin. Nuk e kemi diskutu, me kompetencë Salih Mustafa nuk i ka pas këto funksione me i kry, ato që po thoni ju”, tha ai.

I pyetur se a ishte komandant “Cali” për të dëgjuar për ndalimet në Zllash, ai tha “përgjigja ime është jo”.

“A do të habiteshit nëse ju themi se kemi dëshmi nga Mustafa se ishte informuar apo kishte dëgjuar zëra lidhur me civilët që janë mbajtur të ndaluar në Zllash”, pyeti prokurorja, e cila tha se kjo është bërë e ditur në intervistën që i akuzuari ka pasur me ZPS.

“Habitem nashta, nuk e di”, tha dëshmitari.

Prokurorja e pyeti pse u ka thënë prokurorëve në dëshminë e tij për ZPS që ta pyesnin të akuzuarin për këtë dhe pse tani po thotë se nuk ka njohuri që e ka ditur i akuzuari këtë.

Ai tha se nuk beson se ka pasur njohuri i akuzuari për këtë, ndërkaq tha se nuk beson se është i vetmi rast në intervistë për ta pyetur “Calin”, kur kanë insistuar për diçka që ka qenë interesant për të insistimi i tyre.

“Nuk e kam bërë këtë me tendencën se pyeti Salih Mustafën se ai e di, nuk e kam bë këtë punë”, ka thënë ai.

“Informacioni që ka dhënë zoti Mustafa në këtë intervistë,  zoti Mustafa ka thënë si më poshtë duke folë lidhur me këtë dhomën e ndalimit ka thënë se çdokush që ishte përreth aty e quanin atë dhoma e ndalimit. A të kujton ty ndonjë gjë kjo se edhe ti ke qenë përreth aty”, ka pyetur prokurorja.

“Kam ni prej burimeve jo të sigurta, rrugëve, ua thashë, tjetër asnjë gjë nuk kam dëgjuar, asgjë”, tha dëshmitari.

Tutje, ai deklaroi se e tha atë që ka dëgjuar komplet, ashtu siç e ka thënë në intervistën me prokurorin.

Tutje, prokurorja e ka pyetur për çështje që kishin të bëjnë me deklarata që ka dhënë.

“Së pari për ta përmbledhur ose dhënë një hyrje. Ju jeni thirrur nga ZPS më 17 dhjetor 2019”, tha prokurorja, e ai e konfirmoi këtë e se e ka bërë publike këtë gjë në rrjetin social “Facebook”.

Më pas, u shfaq postimi i tij për të pranishmit në sallë, por që nuk u pa për publikun, ku Mehmetaj konfirmoi se është postimi i tij.

“Tani do lexoj një pjesë të saj. Ju thoni këtu: dje pasdite një prej hetuesve të Gjykatës Speciale na solli ftesën për në Hagë. Në pjesën e dytë, ti thua që do t’i përgjigjem kësaj thirrje me krenari edhe pse vazhdoj me mendu se kjo është një gjykatë e padrejtë dhe njëanshme”, ka thënë prokurorja.

Ai tha se kështu e ka quajtur këtë gjykatë dhe e ka mendimin e njëjtë edhe sot.

“Pra, ju e keni shprehur vullnetarisht opinionin tuaj edhe gjatë intervistimit me ZPS”, ka pyetur prokurorja, e ai e konfirmoi këtë.

“A keni folur me zotin Mustafa përpara ose/dhe pas intervistës që është realizuar nga ZPS me ju”, e pyeti prokurorja.

Për këtë, dëshmitari tha se që nga mosha 18 vjeçare asnjëherë nuk është ndarë me Salih Mustafën.

“Jam taku, kam folë vetëm që më ka ardhë ftesa, nuk kam folë ma shumë. Nuk kemi pas diskutim më shumë për këtë temë. Me Salih Mustafën jam taku dhe shpresoj që triumfon drejtësia këtu dhe del e takohemi prapë. Krejt normale është puna e takimit”, tha ai.

Ai tha se ka marrë nga prokurori njoftimin se nuk bën të diskutojë me askënd atë që është diskutuar në intervistë dhe se e ka respektuar këtë.

Më pas, iu tregua edhe një dokument dëshmitarit, për të cilin u tha se është dokument, i cili tregon telefonatat e bëra nga Salih Mustafa dhe përdoruesit e tjerë në periudhën nga dhjetori 2019 deri shkurti 2020.

“Shihni mbiemrin Bimi, a mund të konfirmoni se është numri juaj i telefonit” ka pyetur prokurorja, ai tha se njeh numrin dhe e di përmendësh.

Atij iu kërkua të shikojë pikën 8 të dokumentit të dytë, ku u tha se aty tregohet se është bërë telefonatë mes tij e Mustafës më 22 janar, një ditë para intervistës.

Kurse, dëshmitari tha se aty po shkruan se nuk është hapur telefoni.

“E kam fjalën për pikën 8”, tha prokurorja. Më pas ajo i kërkoi të shikonte pikën 6 dhe 7 të dokumentit dhe tha se data është 23 janar 2020, që është dita e intervistimit të tij nga ZPS.

“Ju e keni marrë në telefon zotin Mustafa në orën 5:19 dhe 5:20 në pasditen e 23 janarit, që është 5 minuta pas intervistimit nga ZPS”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë, dëshmitari deklaroi se nuk është dakord për atë që po e mendon prokuroria.

“Nuk thashë që mendoj ndonjë gjë, thjesht po ju pyesja a jeni dakord apo jo”, tha prokurorja.

Ajo e ka pyetur se a e konsideron veten mik të të akuzuarit, e i njëjti tha se patjetër që po dhe jo vetëm mik, por ndoshta më tepër se mik.

Ai konfirmoi se ka postuar në rrjetin social “Facebook” në mbështetje të Mustafës dhe u panë disa nga postimet. I njëjti është pyetur se a ishte në dijeni që Mustafa ka marrë ftesë për intervistë me ZPS në nëntor të vitit 2019 dhe se a ka postuar ndonjë gjë lidhur me këtë.

Dëshmitari tha se ndoshta ka harruar se është kohë e gjatë e se beson se po, kur është nisur i akuzuari për Hagë.

Prokurorja lexoi edhe një postim të Mehmetajt, ku thuhej se gjykata është formuar kundër shqiptarëve që kanë luftuar për çlirim dhe pastaj thuhet se kjo është turp dhe padrejtësi e injorim, denigrim që u bëhet çlirimtarëve.

Sipas saj, në fjalinë e fundit thuhet se “paçin turp ata që e kanë ftuar atë dhe e kanë gatuar atë”.

“Kushdo që e ka ftu në bazë të deklaratave të rrejshme, në bazë të dëshmive të rrejshme. Thashë kam pas emocion atëherë, edhe tash po më kthehet emocioni kur po e mendoj atë situatë kur i bëhet një padrejtësi një luftëtari të lirisë. Por, nuk e di a kuptoni ju se atëherë kemi pas nevojë për ushtarë të lirisë. Megjithëse, nuk e përjashtoj kontributin e shtetit tuaj të Italisë”, i tha ai prokurores D’Ascoli.

Në vijim, prokurorja tha se më pas Mustafa u arrestua dhe u soll në godinën e ndalimit të DhSK-së më 24 shtator 2020 dhe u pyet nëse atë kohë ka lexuar aktakuzën dhe akuzat e ngritura ndaj Mustafës, e ai e konfirmoi këtë e se nuk janë reale për të ato të lexuara aty.

Tutje, prokurorja sërish lexoi postime të tjera mbështetëse të dëshmitarit për Mustafën.

“Normal që këtu jam sot për të mbështetur drejtësinë sepse besoj se do të shkojë në dobi të luftëtarit të lirisë, Calit shokut tim. Unë e mbështes drejtësinë dhe gjithmonë do ta mbështes. Kjo gjykatë ka pas njerëz që kanë thënë të pavërteta këtu, kanë thënë gjëra që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Besoj se e nderuara gjykatëse këtë punë e çon deri në fund dhe drejtësinë do ta vendos në dritë. Kam respekt për gjykatësen”, tha ai.

Gjykimi pritet të vazhdojë pas një pushimi.

Dëshmitari Mehmetaj mohon se Salih Mustafa i ka dhënë urdhër që të arrestojë dikë e t’ia dërgojë atij

Dëshmitari Brahim Mehmetaj, në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës, duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtjes së tij, ka mohuar se Salih Mustafa i ka dhënë urdhër të marrë dikë, të arrestojë e t’ia dërgojë atij.

“Unë thashë edhe më herët që as nuk ka qenë në kompetencën e Salih Mustafës, por as strukturës që kemi udhëheq në atë kohë, që është quajtur guerila BIA që të ketë mekanizëm për arrestim a ndalje. Asnjëherë, në asnjë rast apo rrethanë nuk kam marrë unë as nuk kam dëgju që është dhënë urdhër te najkush tjetër për me u bo këto veprime, ato që ju i thatë”, tha dëshmitari Mehmetaj.

Fillimisht, pas një pauze të shkurtër në seancën e së mërkurës, dëshmitari Brahim Mehmetaj, ka deklaruar se herën e dytë kur ka shkuar në Zllash, ku kishte shkuar me qëllimin të shihte Isa Kastratin që tani është dëshmor i kombit, nuk e mban mend saktësisht me kohë, me datë, por se ka qenë dikur në muajin mars-prill, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Isa Kastrati tash është dëshmor i kombit, ka qenë i burgosur politik. Njohjen me të e kam pas në kohën kur kam qenë i organizum në LDK, ka qenë kryetar dege. Kemi punu bashkë, kemi bëtë aktivitet bashkë. E kam organizu unë në strukturat e UÇK-së, e kam bërë pjesëtar të UÇK-së. Njëkohësisht e ka udhëheq Këshillin Komunal për Ndihma Emergjente derisa nuk ka kalu në strukturat e UÇK-së”, tha Mehmetaj.

I njëjti shtoi se më pas, pas tij ka vazhdu me udhëheqjen e atyre ndihmave.

Për të njëjtin, ai tha se kanë pasur lidhje shumë të afërt me të dhe për atë emocionohet kur flet për të, pasi ka ndërruar jetë në luftimet me forcat armike.

“Ka qenë ushtar i lirisë, ka qenë atdhetar”, tha ai për Kastratin, i cili tha se ka vdekur më 21 prill 1999, e që theksoi se nuk është i sigurt, por mund të jetë takuar me Kastratin dy javë para vdekjes së tij.

Ai tha se beson se qëndrimi i tij në Zllash qenë tre- katër orë. “Por, jo veç me Isën, se kam takuar edhe ushtarë tjerë”, tha ai.

Për Kastratin, deklaroi se ka pasur rol në njësitin BIA dhe se fillimisht ka qenë i përfshirë në strukturat e tyre e më pas ka marrë detyra të tjera.

Sipas tij, Kastrati për një kohë kishte qenë zëvendëskomandant deri në momentin kur kishte ndërruar jetë në luftime.

Ai tha se ndjenja për të takuar një shok është ndjenjë e madhe dhe ka pasur dëshirë ta takojë Kastratin, për ta parë se si është me shëndet.

“Nuk ka qenë shumë i vjetër, por ka vuajt shumë, një kohë të gjatë ka qenë në burg dhe prapë nuk është ndalë kurrë”, tha ai, duke shtuar se për respekt të madh e ka takuar dhe ka pasur ndjenjën e afërsisë me të.

Të njëjtin tha se e ka takuar në vendstrehimin, shtëpinë që e ka pasur guerila BIA në Zllash.

Për këtë vendstrehim, tha se e mban mend çfarë pamje kishte e se ka qenë një oborr i madh me disa shtëpi përreth.

Sipas tij, aty ka pas edhe njerëz të tjerë, ku ka parë ushtarë të uniformuar, ka parë civilë që kanë ikur nga Prishtina.

“Dy familje e di që kanë qenë aty në atë kohë. Ka pas edhe fshatarë aty nga fshati që kanë ardhë në atë kohë sa kam qëndru unë aty”, tha Mehmetaj.

I pyetur se sa civilë kanë qenë aty, ai ka thënë se kanë qenë dy familje, që beson kanë qenë katër apo pesë anëtarëshe.

“Mejdi Asllani bashkë me familje ka qenë, ka pas incident me policë dhe është dashur të ik nga shtëpia”, tha Mehmetaj.

Sipas tij, një familje ka qenë e shtëpisë aty, dikush nga vendi aty.

“Një ose dy fshatarë kanë pru me ngrënë diçka aty, banorë të fshatit aty. Kaq janë, aq sa di unë”, tha ai.

Kurse, kur  u pyet nga avokati Julius Von Bone, se kush e kontrollonte atë shtëpi, ai i ka thënë se nuk ka pasur ndonjë kontroll të veçantë në atë shtëpi.

Dëshmitarit i është treguar një fotografi, që nuk është bërë e njohur për publikun.

Për të njëjtën tha se edhe pse një fotografi e shkatërruar, konfirmoi se ky ka qenë vendi, ku kanë qëndruar anëtarë të njësitit BIA.

“Kur jam fut aty nuk ka pas roje, edhe nuk e di që ka pas roje, edhe nuk kam parë asnjë roje, ushtarë që bëjnë roje nuk kam pa, nuk më ka ndalë askush, nuk ka lyp identifikim për mu askush”, tha ai, duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtjes.

Tutje tha se në Zllash, ka qenë vetëm dy herë gjatë periudhës kohore, për të cilën po flitet.

Dëshmitari ka mohuar se Salih Mustafa i ka dhënë urdhër të marrë dikë, të arrestojë e t’ia dërgojë atij.

“Unë thashë edhe më herët që as nuk ka qenë në kompetencën e Salih Mustafës, por as strukturës që kemi udhëheq në atë kohë, që është quajtur guerrila BIA që të ketë mekanizëm për arrestim a ndalje. Asnjëherë, në asnjë rast apo rrethanë nuk kam marrë unë as nuk kam dëgju që është dhënë urdhër te najkush tjetër për me u bo këto veprime, ato që ju i thatë”, tha dëshmitari Mehmetaj.

Ky dëshmitar ka thënë se BIA vendqëndrimin në Zllash e ka përdor për të pushuar dhe kjo ka qenë funksionimi i BIA-së në atë vend.

Ai tha se ka dëgjuar për persona me emrin Dardan, pasi ka shumë persona me këtë emër.

“Ka qenë një që ka qenë i përfshirë në BIA”, konfirmoi dëshmitari.

Për të, ai tha se nuk e di për veprimtarinë që ka bërë ai, ku ka qëndruar çdo ditë, por se si të tjerët që kanë qenë në BIA, edhe ai ka lëvizur.

Po ashtu, tha se shumica e njerëzve që kanë marrë pjesë, kanë përdor pseudonime dhe është vështirë t’i njeh dhe identifikojë veç me pseudonim ose emër.

“Emër Afrim, nuk po më kujtohet saktë kush o. Mund të jetë anëtar i BIA-së, por nuk e di saktë, nëse ke fotografi a ndonjë gjë tjetër, e kisha vërtetu”, tha Mehmetaj.

Ai u pyet nëse në vendqëndrimin në Zllash, vendin ku është takuar me Isa Kastratin, ka rënë në sy ndonjë objekt i veçantë, i cili ruhej.

“E patë atë fotografinë dhe aty objekte të veçanta nuk ka pas, por edhe diçka që ruhej në formë ushtarake nuk kam parë aty”, tha dëshmitari.

Tutje, tha se civilët janë tërheq prej vendeve ku nuk kanë mundur të qëndrojnë dhe kanë qëndruar aty, ku qëllimi i tyre ka qenë strehimi, ashtu siç ka qenë qëllimi edhe i anëtarëve të BIA-së.

“Strehimi ka qenë gjëja kryesore që e kanë synu civilët. Ato shtëpia nuk kanë qenë kazerma, por shtëpia të personave civilë që janë përdor për strehim, organizim të punëve dhe kaq, në kushtet dhe rrethanat që atëherë kanë ekzistu në Kosovë”, tha dëshmitari Mehmetaj.

Tutje, tha se familjen e Mejdi Asllanit që ka qëndruar aty e njeh personalisht.

Ai ka mohuar se Isa Kastrati i ka thënë se aty ka persona të ndaluar.

“Nuk më ka thënë asgjë, nuk më ka tregu asgjë”, ka thënë dëshmitari, ndërkaq tha se vet nuk ka parë diçka të jashtëzakonshme, ku gjithçka ka qenë e zakonshme për të.