Lajme

Mehmetaj: NOA pritet të dalë kompania e parë ose e dyta më e madhe në Kosovë – pa zyra e me vetëm dy punëtorë

12/05/2025 21:03
nga:Sh R

Gazetari Lirim Mehmetaj, në Debat Plus, ka diskutuar për akuzat dhe kundërakuzat lidhur me energjinë elektrike në vend.

Ai ka thënë se kur është marrë ai dhe Debat Plus me çështjen “NOA”, nuk janë marrë në kuptimin se kush qëndron prapa saj në aspektin politik, por me anomalitë.

“…por jena marrë me faktin që një kompani që kishte filluar aktivitetin në vitin 2021 ka gjeneru qindra miliona dhe praktikisht është kthyer në kompaninë e tetë më të madhe për nga qarkullimi në Kosovë. Kur shikuam me kqyr kush është kjo kompani, doli që nuk ka as zyra, as adresë dhe i ka të punësuar veç dy punëtorë”, ka thënë ai.

Tutje, Mehmetaj është shprehur se me qindra miliona, pa zyrë dhe veç me dy punëtorë, praktikisht është një kompani “fantom”.

“Sipas të dhënave të këtij viti deri në dhjetor, NOA nga vendi i tetë do të dalë ose në vendin e parë ose në vendin e dytë, sepse qarkullimin tash e ka rrit edhe për qindra miliona të tjerë dhe praktikisht ka me kanë kompania më e madhe në Kosovë, pa zyra”, ka thënë Mehmetaj.