Lajme

Mehmetaj: Dënimi i ‘Calit’ skandaloz, po mbahet në burg për një vrasje që s’i dihet autori

12/14/2023 20:52
nga:Y I

Dhomat e Specializuara në Hagë sot kanë shpallur vendimin e Apelit për rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Paneli i Apelit ka vendosur që Mustafës t’ia ul dënimin nga 26 në 22 vjet burgim.

Gazetari Lirim Mehmetaj, tha se Salih Mustafa është dënuar pa pasur prova.

Sipas tij komandant “Cali” i ka marrë 22 vjet burgim për një vrasje që nuk i dihet autori e as detajet tjera.

“Sot është konfirmu me majtë në burg një person për një vrasje që nuk I dihet autori, vendodhja as koha. Vendimi është 360 faqe jo krejt kanë mundësi me lexu, i dinë cilat janë akuzat por nuk e dinë saktësisht… Akuza kryesore ka qenë për vrasjen e një personi. Vendimi i gjykatës speciale, thotë se trupi gjykues vëren se dëshmitë janë të ndryshme sa i përket datës se kur është gjetë kufoma. Dëshmitarët që kanë tregu ku është gjetë kufoma… këtu nuk ka prova, trupi gjykues e pranon se nuk ka prova”, tha ai.

Sipas tij “Cali” u dënua përkundër që nuk pati prova, por vetëm bazuar në disa deklarata të dëshmitarëve.

“U dënu me 22 vjet sepse disa dëshmitar edhe pse s’ka fakte e bëjnë atë fajtor as për vrasje direkte as për të urdhëruar as që e ka bërë UÇK, por për mbajtjen e një personi në një qendër që nuk ka fakte, vetëm dëshmitarët e thonë”, tha ai në Debat Plus.

Tutje ai i ka renditur disa nga deklaratat e dëshmitarëve të cilët ishin të ndryshme nga njëra-tjetra:

“Një dëshmitar thotë se plumbi ka qenë në anën e djathtë të stomakut të viktimës

Tjetri, ka thënë se plumbat fillimisht ndodheshin në pjesën e pasme të kokës

Tjetri në vrimën e majtë të viktimës dhe se nuk ka vërejtur diçka tjetër”.

Sipas Mehmetajt trupi gjykues e ka pranuar se nuk e di saktësisht kush e ka vrarë viktimën dhe se ka hedhur dyshime se edhe forcat serbe mund ta kenë vrarë.