Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj është pritur në takim nga homologia e tij kanadeze Anita Anand.
Mehaj ka thënë se ministren kanadeze e la njoftuar për “avancimet që Ushtria e Republikës së Kosovës ka bërë në shumë drejtime përmes implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, dhe investimit që është bërë në blerjen e armatimeve e shkollimin e kuadrove të reja të oficerëve e ushtarakëve në përgjithësi, e me theks të veçantë hapat që kemi ndërmarrë për inkuadrimin e vajzave në FSK, dhe trajnimin për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse”.
Përtej kësaj ka thënë se kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimin ndërmjet të dyja shteteve, e sidomos bashkëpunimin sa i përket misioneve të përbashkëta ushtarake.
“Me këtë rast e njoftova dhe për gatishmërinë që kemi për t’i ofruar ndihmë popullit ukrainas qoftë përmes trajnimeve për kërkim-shpëtim apo dhe deminimit”, ka shkruar Mehaj në Facebook, raporton Gazeta Blic.
Postimi i plotë:
Kanada, shtet aleat i Republikës së Kosovës
Gjatë takimit me ministren e mbrojtjes të Kanadasë, Anita Anand, e njoftova për avancimet që Ushtria e Republikës së Kosovës ka bërë në shumë drejtime përmes implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, dhe investimit që është bërë në blerjen e armatimeve e shkollimin e kuadrove të reja të oficerëve e ushtarakëve në përgjithësi, e me theks të veçantë hapat që kemi ndërmarrë për inkuadrimin e vajzave në FSK, dhe trajnimin për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse.
Përtej kësaj diskutuam për thellimin e bashkëpunimin ndërmjet të dyja shteteve, e sidomos bashkëpunimin sa i përket misioneve të përbashkëta ushtarake, me këtë rast e njoftova dhe për gatishmërinë që kemi për t’i ofruar ndihmë popullit ukrainas qoftë përmes trajnimeve për kërkim-shpëtim apo dhe deminimit.
Temë tjetër diskutimi ishte dhe rëndësia që Republika e Kosovës të anëtarësohet në BE dhe në NATO, ngase Ballkani Perëndimor më shumë se kurrë ka nevojë për shtete që përqafojnë politikat evropiane.


