Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka vizituar kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”, me ç’rast ka falënderuar SHBA-në si dhe kontingjentin amerikan të KFOR-it për angazhimin e fundit të njësisë së helikopterëve në shuarjen e zjarreve në Kosovë.
Mehaj ka thënë se ushtria amerikane ishte dhe është garanti kryesor i sigurisë së vendit.
“Ushtria amerikane ishte dhe është garanti kryesor i sigurisë së vendit tonë, si dhe garanti kryesor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
“Në vizitën time, përveç falënderimit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, i shpreha falënderimin dhe mirënjohjen edhe për angazhimin e pazëvendësueshëm të fundit të njësisë së helikopterëve në shuarjen e zjarreve”, u shpreh më tej ai.
Sipas tij, “gjithçka që është ndërtuar dhe avancuar në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë në vendin dhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në veçanti, i atribuohet rolit jetik dhe mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”.
“Zoti e bekoftë SHBA-në dhe ushtrinë e saj! Zoti e bekoftë miqësinë dhe aleancën tonë të përjetshme”, përfundoi ministri Mehaj.