Lajme

Mehaj merr titullin “Qytetar nderi” nga bashkia e Matit

03/15/2023 19:54
nga:G B

Ministrit të Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, i është dhënë titulli “Qytetar nderi” nga kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj.

Mehaj u shpreh mirënjohës dhe falënderues për titullin e dhënë nga kryetari i kësaj bashkie.

Ai tha se gjatë karrierës së tij ushtarake ka udhëtuar në shume vende të botës “por e vetmja rrugë që nisem me gëzim është rruga drejt Shqipërisë”.

Në fjalimin e tij Mehaj e përmendi edhe ndihmën e Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës me Serbinë, teksa përmendi edhe komandantin e UÇK-së Adem Jashari, i cili kishte kryer stërvitje në Shqipëri.

“Në krye të luftës tonë çlirimtare ishte komandanti Legjendar Adem Jashari, ai dhe shumë ushtarë të UÇK-së u stërvitën në Shqipëri, konkretisht në Burrel dhe derisa po vija rrugës e ndjeja se po i afrohesha komandantit tonë, po i afrohesha burimit të përgatitjes e organizimit të UÇK-së, qarkut të Bashkisë Mat, po i afrohesha Burrelit”, tha ai.

Në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, sipas Mehaj ka luajtur rol të rëndësishëm edhe shteti i Shqipërisë.

“Rrugëtimi ynë drejt lirisë dhe shtetësisë ka kaluar pikërisht përmes jush, përmes këtij vendi ku jemi sot. Sot 25 vite pas, jemi sërish këtu në këtë vend me të cilin e kaluara dhe e ardhmja jonë është e lidhur ngushtë”, u shpreh Mehaj.

Në fund ai u bëri thirrje qytetarëve të Shqipërisë ta vizitojnë më shpesh Kosovën.

“Ne ju presim me krahë të hapur gjithmonë”, përfundoi duke thënë Mehaj.