Lajme

Mediumi serb pretendon: Diplomatët e BE-së me dokument të ri për Prishtinën dhe Beogradin, Kosova dhe Serbia mund të shpërblehen, por edhe të ndëshkohen

03/16/2023 18:47
nga:Astrit Gashi

Nëse nuk e pranon plotësisht marrëveshjen evropiane për Kosovën, Serbia do të humbasë mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Përveç kësaj, Bashkimi Evropian dhe NATO do të krijojnë mundësi që Kosova të rritet në mënyrë të pavarur, pa bashkëpunim me Beogradin. Këto janë mesazhet kyçe të dokumentit më të fundit të diplomatëve evropianë, të cilin pretendon se e ka siguruar mediumi serb, Nova.rs, përcjellë GazetaBlic.

Para takimit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili do të zhvillohet të shtunën në Ohër, redaksia e Nova pretendomn se e ka siguruar këtë dokument nga BE-ja. Sipas këtij mediumi, dokumenti është hartuar nga ndërmjetësit evropianë në dialogun Beograd-Prishtinë si platformë për bisedime të mëtejshme me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës. Këto janë praktikisht udhëzimet e tyre për dialog, të cilat duhet të tregojnë unitetin e BE-së për çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Vetë dokumenti nuk është përfundimtar, por mesazhet nga ai do t’i përcillen Vuçiqit dhe Kurtit. Konkretisht, se cilat janë përfitimet e nënshkrimit të marrëveshjes dhe cilat do të jenë pasojat e refuzimit, shkruan Nova, përcjellë GazetaBlic.

Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se të 27 anëtarët e BE-së qëndrojnë pas dokumentit, duke përfshirë pesë vende që nuk e njohin Kosovën. Dokumenti tregon synimin e BE-së dhe Perëndimit për ta lënë Evropën plotësisht të lirë nga konfliktet e mundshme, dhe në dritën e krizës ukrainase. Vendosmëria shihet edhe në perspektivën shumë të qartë të izolimit të Beogradit dhe Prishtinës, me vetëdijen për mundësinë e trazirave të brendshme.

Vijat e kuqe dhe hapat prapa

Së pari, në dokument thuhet se procesi i normalizimit do të menaxhohet nga dy kryediplomatë nga vendet jo-njohëse, Spanja dhe Sllovakia, për të garantuar drejtësi.

“Teksti përfundimtar i marrëveshjes është produkt i një analize gjithëpërfshirëse dhe të plotë të të gjitha përvojave aktuale dhe të kaluara. Është një produkt unik politik, një kompromis i brendshëm i BE-së, i cili është i pranueshëm edhe për shtetet anëtare që e njohin edhe për ato që nuk e njohin Kosovën”, thuhet në dokument.

Ai i referohet vijave të kuqe të të dyja palëve, përkushtimit të tyre për paqen rajonale dhe vlerat evropiane, si dhe detyrimet e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket vijave të kuqe, thuhet se Serbisë me qëllim që ti bëhen koncesione, Kosova do të bëjë një hap prapa dhe në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve nuk do të insistohet në njohje reciproke.

“Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova merr përsipër të punojë me Serbinë për të zgjidhur nevojat praktike të të gjithë njerëzve dhe komuniteteve”.

Nga ana tjetër, Serbia pritet të bëjë një hap prapa dhe të vendos marrëdhënie të plota me Kosovën.
Serbia në vend që të luftojë me Kosovën merr përsipër zotimin të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.

Për sa i përket përkushtimit për paqen rajonale dhe vlerat e BE-së, thuhet se Serbia dhe Kosova janë të përkushtuara për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, ndërsa Serbia urdhërohet të përmbahet nga çdo veprim që perceptohet si armiqësi diplomatike ndaj Kosovës.
Prishtina angazhohet për nivelin e duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb në Kosovë, në përputhje me vlerat e BE-së.

Shpërblimet dhe ndëshkimet

Nëse marrëveshja pranohet, Serbisë i parashikohet një partneritet i fortë strategjik me komunitetin perëndimor.

“Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse kryesore ekonomike dhe politike rajonale dhe pranimi i propozimit të BE-së do ta afrojë atë me komunitetin serb të Kosovës”, thuhet në dokument.

Pranimi i Kosovës do të shënojë fillimin e daljes së Kosovës nga kriza dhe mundësinë për t’u fokusuar në zhvillimin thelbësor socio-ekonomik.
“Kosova më në fund mund të rritet e pavarur”, thuhet në këtë dokument.

Kur bëhet fjalë për dënimet, dokumenti thotë qartë se Beogradi dhe Prishtina kanë dy mundësi. Të pranojë marrëveshjen dhe të pajtohet me qëndrimet e të 27 anëtarëve të BE-së ose ta refuzojë atë, gjë që ka pasoja të rënda. Në atë rast, rruga e tyre drejt integrimeve evropiane do të ndalet dhe në të njëjtën kohë do të humbasin të gjitha përfitimet e mëparshme.

“Së shpejti do të pasonin izolimi dhe trazirat e brendshme”, thuhet në dokument.

“Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë të gëzojnë përfitimet e marrëveshjeve ekzistuese me BE-në dhe pjesën tjetër të komunitetit perëndimor vetëm nëse angazhohen plotësisht që të bëhen lojtarë konstruktivë në BE dhe në përpjekjet perëndimore për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit. Nuk ka rrugëdalje tjetër”, thuhet në dokument.

Dështimi i Serbisë për të harmonizuar pozicionin e saj me BE-në 27, thuhet më tej, do t’i krijojë një mundësi Kosovës që të rritet dhe forcohet pa pasur nevojë të bashkëpunojë me Beogradin.

“Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Pavarësisht nga rezultati, BE-ja dhe NATO-ja në fund do të flasin me një zë për Kosovën”.

Kosova, nga ana tjetër, duhet të përmbushë plotësisht pritjet e komunitetit perëndimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për respektimin e marrëveshjeve të kaluara.

“Refuzimi i Kosovës për ta bërë këtë mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Partnerët e zhgënjyer perëndimorë nuk do të mbështesin rritjen e mëtejshme të Kosovës. Pa këtë mbështetje, Kosova mund të priste një kthim prapa në disa fusha”, përfundon dokumenti.