Sporti

Mediumi serb me fjalë të mëdha për Dritën: Klubi nga Kosova është senzacioni i këtij viti në Ligën e Konferencës

07/22/2022 17:50
nga:Mergim Rreci

Mbrëmë barazimi i Dritës ndaj Antwerpit (0:0) në ndeshjen e fazës së dytë të kualifikimeve për Conference League ishte lajm kryesor në Kosovë dhe jo vetëm.

Mediumi kroat Index.hr ia kushtoi një shkrim special Dritës, ku shkruante se një ekip i vogël kosovar po bën surpriza në Evropë. Por, një shkrim befasues vjen na mediumi serb ‘B92’, medium ky që e vlerëson maksimalisht paraqitjen e skuadrës së Ardian Nuhiut, pavarësisht faktit që kishte emra të mëdhenj në formacionin belgëve.

“Klubi nga Kosova është senzacioni më i madh i Ligës së Konferencës”.

“Futbollistët gjilanas të Dritës nga Kosova krijuan senzacionin më të madh në ndeshjet e para të xhiros së dytë të kualifikimeve për Ligën e Koferencës”.

“Drita tronditi tifozët e futbollit duke barazuar pa gola 0-0 me Antwerpin e Belgjikës jashtë shtëpisë së tyre”.

“Se sa i madh është rezultati i Dritës tregojnë emrat kryesorë të klubit belg – trajner është Mark van Bommel, ndërsa futbollistët janë emra të mëdhenj si Radja Nainggolan, Toby Alderweireld, Vincent Janssen, Richie de Lae apo Koji Miyoshi”, shkruan tutje mediumit serb ‘B92’.

“Ndonëse me 69% posedim të topit për Antwerpen dhe raportin 12:1 në goditjet drejt portës, nuk i mjaftuan klubit belg për të fituar”.

“Se sa befasues është ky rezultat, tregon edhe fakti se koeficienti i kompanive të basteve për barazim ishte 10. Ndeshja e kthimit është javën tjetër në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë”, ka shkruar mediumi serb.