Kosova ka pësuar humbjen e dytë në kampanjën kualifikuese për Euro 2024, pasi u mposht në Bukuresht nga Rumania me rezultat 2:0.
Ka qenë një ndeshje që ka zgjatur thuajse tre orë për shkak të ndërprerjes që ndodhi në fillim të saj.
Fillimisht ndeshja u ndërpre në minutën e 18-të për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe banderolave të llojit ‘Kosova është serbi’.
Megjithatë pas gati një orësh që gjyqtari i dërgoi futbollistët në zhveshtore ndeshja ka vazhduar.
Sipas mediumit të njohur spanjoll, ‘El Mundo Deportivo’, Rumaniaka gjasa të humbë ndeshjen me rezultatin zyrtar 3:0, bazuar në nenin 14 të Kodit Disiplinor të UEFA-s.
“Nëse jo këtë të mërkurë, atëherë në ditët në vijim UEFA do të hapë një hetim të jashtëzakonshëm për incidentet që ndodhën mbrëmë në ndeshjen Rumani-Kosovë në Bukuresht”, ka shkruar gazeta spanjolle duke paralajmëruar sanksione të rënda për Rumaninë.
Gazeta ka cituar nenin 11 të Kodit Disiplinor të UEFA-s, i cili thotë se “federatat kombëtare janë përgjegjëse për ndërprerjen dhe braktisjen e fushës”.


