Lajme

Mediet e huaja raportojnë mbi planin e ri të Kosovës për të vaksinuar njerëzit në xhami

11/20/2021 19:21
nga:M K

Ditë më parë ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur se për të rritur nivelin e vaksinimit në vend do të bëjë përgatitje për të implementuar ekipet mobile në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në institucionet fetare dhe në shkolla.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 18 nëntor më shumë se 753 mijë qytetarë – apo mbi 41 për qind e popullatës së përgjithshme i ka marrë nga dy doza të vaksinës.

Vaksinimi në Kosovë tani bëhet pa termin dhe lejohet për të gjitha moshat mbi 12 vjeç.

Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Mirëpo, iniciativa për vaksinimin e njerëzve në institucionet fetare si duket ka fituar vëmendje të veçantë nga mediet ndërkombëtare, të cilat kishin shtrirë raportimin e tyre mbi këtë ide.

Në mesin e këtyre mediumeve janë AP News, ABC News, Euronews, The Independent dhe shumë të tjera.

“Kosovarët marrin vaksinën kundër COVID-19 pas namazit të xhumasë në xhami”, ishte titulli që mbizotëronte te artikulli i agjencisë amerikane të lajmeve, AP News, dhe po ashtu edhe te mediumet e tjera të lartë cekura.

Ato gjithashtu kanë raportuar se kjo teknikë po vjen si rrjedhojë për t’i bindur njerëzit që të marrin vaksinën kundër COVID-19 – duke bashkëpunuar me komunitetin mysliman në lutjet e së premtes.

Imamët në mbarë Kosovën u bënë thirrje besimtarëve që të merrnin vaksinën, ndërsa ekipet mjekësore prisnin në oborret e xhamive për t’i vaksinuar ata, shkruan agjencia AP News.