Mediat prestigjioze ndërkombëtare i kanë dhënë jehonë deklaratës së përbashkët të pesë shteteve të QUINT-it të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës “të pezullojnë” përkohësisht deri në një kohë mjaftueshëm të arsyeshme për ndalimin e dinarit serb në bazë të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Prej “Reuters, “Barrons”, e “Radio Free Europe”, kanë shkruar në atë se pesë fuqitë më të mëdha perëndimore i kanë bërë thirrje qeverisë së Albin Kurtit të shtyjnë vendimin që ata konsiderojnë se “do të ketë pasoja” te komuniteti serb,
“Pesë vende perëndimore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, i kanë kërkuar Prishtinës që të shtyjë një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës për të kufizuar të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në vend në euro nga 1 shkurti. Në një deklaratë, vendet, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, dhe Britania tha se pezullimi i vendimit duhet të bëhet për të ‘lejuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik’. Për dy dekada, të inkurajuar nga Beogradi dhe të injoruar me ngurrim nga Prishtina, banorët e 10 komunave me etnitet të madh serb janë kapur pas monedhës serbe”, shkruan RFE.
Ambasadorët e QUINT-it thanë se rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme, që pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, synon të reduktojë paratë e falsifikuara dhe të ruajë stabilitetin financiar, por po ashtu “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, u tha në deklaratën e ambasadorëve të QUINT-it.
Kurti, sipas njoftimit, gjatë këtij takimi kishte kërkuar nga ambasadorët e QUINT-it që të respektojnë vendimin e BQK-së.
“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Ditë më parë, Uashingtoni po ashtu kërkoi që Kosova të rishqyrtojë vendimin, që do të pamundësonte serbët që jetojnë në Kosovë të përdornin dinarin serb për të bërë transaksione me dinar. Radio Evropa e Lirë kontaktoi guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, lidhur me kërkesën e SHBA-së, por nuk mori ndonjë përgjigje.
Bashkimi Evropian, ndërkaq, ka thënë se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim.