Mesfushori Etnik Brruti pritet të bëjë hapin e radhës në karrierë, duke u transferuar te një nga klubet më të mëdha në Kroaci.
Sipas raportimeve nga mediat kroate, marrëveshja për kalimin e tij është afër finalizimit dhe mbetet vetëm çështje kohe deri në zyrtarizim.
Fillimisht ishte përfolur për një kalim te Rijeka, por situata ka ndryshuar dhe tani destinacioni i ri i futbollistit pritet të jetë Hajduku i Splitit.
Transferimi i tij është organizuar nga drejtori sportiv i klubit, Goran Vucevic, i cili ka punuar prej kohësh për ta sjellë lojtarin në skuadër.
Interesimi për Brrutin u konfirmua edhe pas një fotografie të publikuar në rrjete sociale nga agjenti i tij Eros Grezda, ku ai shihet së bashku me futbollistin në Split. Ata më pas pritet të jenë pjesë e ndeshjes së kampionatit kroat në stadiumin “Poljud”.
Kontrata e Brrutit me Malishevën është drejt fundit, gjë që i lehtëson edhe më shumë negociatat, pasi ai mund të transferohet pa dëmshpërblim.
/GazetaBlic Sport/


