Lajme

Media britanike: Shqipëria ofron plazhe piktoreske dhe çmime të përballueshme

03/21/2026 14:50
nga:Y I

Media britanike, “GB News”, vlerëson Shqipërinë si një “xhevahir të fshehur” që ofron destinacione të qeta dhe autentike përballë mbingarkesës turistike të Spanjës dhe Portugalisë.

Sipas ekspertëve, Shqipëria ofron plazhe piktoreske, akses të lehtë dhe çmime të përballueshme.

Në artikull rekomandohen dy zona kryesore për pushime, Ksamilin dhe Porto Palermon, pjesë e Rivierës Shqiptare, e cila po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion tërheqës dhe ekonomik në jugperëndim të vendit. Vizitorët mund të shijojnë ujërat e kristalta, plazhet me guralecë të bardhë dhe peizazhet mbresëlënëse malore.

Ksamili, shpesh i konsideruar si “Maldivet e Evropës”, sugjerohet ndër plazhet më të bukura dhe më të preferuara, falë rërës së bardhë dhe ujërave jashtëzakonisht të kthjellëta.

Për ata që kërkojnë një atmosferë më të qetë, Porto Palermo ofron një nga gjiret më piktoreske, me një gadishull të vogël që lidhet me tokën dhe një kështjellë mbresëlënëse të shekullit XIX, e njohur si Kalaja e Ali Pashë Tepelenës.

Këto destinacione po shihen gjithnjë e më shumë si alternativa ideale për pushuesit që kërkojnë bukuri natyrore, qetësi dhe përvoja autentike larg turizmit masiv.